Shpresë për gjetjen e Artemisës, letra misterioze dhe thirrja mes lotëve e babait

schedule10:53 - 11 Qershor, 2022

schedule 10:53 - 11 Qershor, 2022

Emisioni grek “Dritë në tunel” ka zbuluar detaje të reja në lidhje me zhdukjen e 19-vjeçares shqiptare Artemis Vasili në Koropi më shumë se një vit më parë. Avokatit të familjes Vasili i është dërguar një letër nga një person anonim, i cili thotë se Artemis është gjallë dhe mbahet nga dy persona të përfshirë në krime të ndryshme të rënda, ndërkohë që lëvizet nga njëri vend në tjetrin për shkak të kërkimeve që bëhen nga policia.

Në letër thuhet se familjatët duhet të bëjnë kujdes dhe të mos shpërndajnë asnjë informacion me policinë pasi rrezikohet jeta e 19-vjeçares, sepse sipas atij që ka shkruar letrën, e reja mbahet peng nga dy vrasës, të cilët njihen për brutalitetin e tyre, raporton abcnews.al.

Lexoni KËTU gjithçka nga zhdukja e Artemis Vasilit

Kushtojini vëmendje këtij informacioni, është tepër serioz. Artemis Vassilis është gjallë. Ajo po mbahet kundër dëshirës së saj nga dy burra. Ata e transferojnë atë nga një vend në tjetrin për shkak të kërkimeve që bën policia. Çështja është rihapur në polici dhe po raportojnë mediat. Mos ndani asnjë informacion me policinë sepse autorët e pengmarrjes janë të alarmuar nga kjo situatë”, shkruhet në letër.

Personi që ka shkruar letrën ka dhënë edhe dy adresa ku sipas tij është mbajtur më parë Artemis nga personat në fjalë.

Emisioni ka shkuar në këto adresa, ndërkohë që në momentin e kërkimeve nga gazetarët dhe policia, pronari i shtëpisë është shprehur i habitur pasi sipas tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë.

Jam i çuditur nga ky informacion. Policia ka kërkuar kudo dhe nuk ka gjetur asgjë”, shprehet ai, ndërkohë që policia ka hapur edhe kamerat e sigurisë së shtëpisë në fjalë si edhe lagjes duke mos gjetur asnjë provë për prezencën e Artemisës.

Gjatë emisionit, babai i Artemisës, Jani bëri apel që askush të mos keqpërdorë dhimbjen e tyre me informacione të rreme.

Na marrin në mes të natës në telefon dhe na thonë shko në filan vend se atje e ke vajzën. Ju lutem të mos tallen me dhimbjen tonë. Uroj të mos jeni kurrë në situatën që jemi ne”, u shpreh ai.

Zhdukja

Artemis Vasili u zhduk më datë 15 tetor 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.

Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike. Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.

Tre janë dëshmitë. Konkretisht pak pas zhdukjes, një grua tha se e pa vajzën 19-vjeçare në një gjendje shoku dhe duke qarë e vetme në rrugë. Gruaja iu afrua vajzës dhe u përpoq ta ndihmonte ndërsa Artemis u largua.

Një tjetër dëshmitar deklaroi se duke zbritur në stacionin e autobusit e pa 19-vjeçaren të trembur dhe duke ikur me nxitim. Gjithashtu një informacion tjetër erdhi se vajzës i kishte rënë të fikët në rrugë, por sapo ishin afruar njerëzit ishte shprehur se ishte mirë dhe ishte larguar.

Për herë të fundit vajzën me origjinë shqiptare e kapën kamerat duke shkuar në një stacion autobusi, ndërsa më pas janë vetëm dëshmitë e qytetarëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!