Shpiku penalltinë e veçantë, Antonin Panenka pozitiv me koronavirus

schedule18:57 - 7 Tetor, 2020

schedule 18:57 - 7 Tetor, 2020

Antonin Panenka është një emër shumë i njohur i botës së futbollit. Ish-mesfushori ofensiv nga Praga, vitet më të bukura të karrierës i kaloi te Rapidi i Vienës, aty ku fitoi 5 trofe, ndërsa kulmin e arriti me kombëtaren e Çekosllovakisë.

Në vitin 1976 fitoi Evropianin me kombëtaren, duke u shpallur kampion pas fitores ndaj Gjermanisë Perëndimore. Sfida shkoi në penallti dhe Panenka i mahniti të gjithë me shpikjen e tij. Ai pati guximin të dhuronte një “parabolë” të ëmbël, topi në rrjetë dhe Çekosllovakia në majë të Evropës.

Goditja e tij u kopjua nga shumë lojtarë të tjerë me kalimin e viteve. Francesco Totti e solli në modë në Euro 2000, teksa shumë lojtarë zgjedhin ta godasin penalltinë në stilin “Panenka”.

71-vjeçari, i cili mban postin e presidentit të nderit të Bohemians 1905, është prekur nga Covid-19 dhe është shtruar menjëherë në spital dhe ndodhet në kurim intensiv në reanimacion. /abcnews.al