“Shpëtoi” Koeman dhe vendos të ulë rrogën, Gerard Pique një katalanas puro

schedule10:38 - 9 Qershor, 2021

schedule 10:38 - 9 Qershor, 2021

Joan Laporta ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me Gerard Pique, një nga “senatorët” e Barcelonës. Presidenti i klubit ka marrë një informacion të hollësishëm në lidhje me çfarë nuk funksionoi sezonin e kaluar në skuadër dhe në dhomat e zhveshjes.

Qendërmbrojtësi është pyetur edhe në lidhje me Roland Koeman. Qëndrimi i Pique ka qenë pozitiv për teknikun holandez. Laporta kërkoi 15 ditë kohë për të reflektuar dhe në fund vendosi ta konfirmojë Koeman në stol edhe për sezonin e ardhshëm.

AS shkruan se 34-vjeçarit i është kërkuar të bëjë një sakrificë financiare. Pique përfiton rreth 16 milion euro në sezon (bruto), ndërkohë që situata ekonomike e Barcelonës nuk është më e mira. Qendërmbrojtësi (ka kontratë deri në 2024) ka vendosur të pranojë uljen e rrogës.

Laporta shpreson që një shembull i tillë të ndiqet edhe nga Sergio Busquets e Jordi Alba, teksa Sergi Roberto është pranë largimit nga ekipi katalanas. Ndryshime pritet të ndodhin edhe në qendër të mbrojtjes, repart ku Koeman ka 6 futbollistë për momentin.

Pique, Eric Garcia, Araujo, Mingueza, Umtiti dhe Lenglet. Një nga dy qendërmbrojtësit francezë do të largohet. Barcelona po pret oferta në drejtim të Umtiti dhe Lenglet, teksa dëshira e madhe për repartin e prapavijës është Aymeric Laporte i Manchester City. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!