Shpërthimi në Tiranë/ “Corriere”: Laborator për celularët-bombë

schedule18:56 - 16 Mars, 2018

schedule 18:56 - 16 Mars, 2018

Dyqani i telefonave në pronësi të 35-vjeçarit, Gentian Hoxha, shërbente si laborator për prodhimin e celularëve-bombë. Në një shkrim të sajin, italiania “Corriere della Sera” aludon se Hoxha furnizonte me eksploziv klanet mafioze pulieze dhe qarqe xhihadiste.

Shpërthimi i eksplozivit në dyqanin e celularëve që la të plagosur 35-vjeçarin Genitan Hoxha nuk është një rast i izoluar, por një që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Sipas raportimeve të “Corriere della Sera”, në dyqanin që ndodhet pranë ambasadës amerikane përgatiteshin dhe më pas niseshin sasi eksplozivi që përfundonin në duart e klaneve mafioze pulieze, prej kohësh në luftë për kontrollin e drogës në rajonin jugor të vendit fqinj.

Sipas gazetës, një muaj më parë, në kufirin me Malin e Zi u ndalua një kamion që në bord kishte tre celularë-bombë që kishin si destinacion Italinë. Mekanizmi i celularëve-bombë është i thjeshtë dhe fatal në të njëjtën kohë. Gjysmë kilogram tritol lidhet me telefonin dhe pakoja vendoset poshtë makinës së objektivit; nëse i biet numrit të atij celulari aktivizohet një sensor që shkakton shpërthimin e bombës.

Në muajt e fundit, shkruan “Corriere della Sera”, nga Tirana deri në Vlorë janë hapur qindra dyqane celularësh dhe disa prej titullarëve të tyre, përveç se me botën e krimit janë të lidhur edhe me qarqet ekstremiste islamike. Mund të jetë një rastësi, vijon gazeta, por hetues të nivelit të lartë të cituar prej saj shprehin dyshime të forta se krahas bashkëpunimit me klanet pulieze ekziston edhe një me grupet xhihadiste.

Kjo, nisur nga ngjarja e 14 Korrikut 2016, kur atentatori i Nisës, Mohamed Lahuaiej Buhel kishte kontaktuar shtetas shqiptarë për të blerë armët. Celularët-bombë, shkruan më tej “Corriere”, transportohen nga Shqipëria në Itali edhe në rrugë detare dhe klanet pulieze, blerësit kryesorë të këtij produkti, e përdorin atë edhe në grabitjet e furgonëve të transportit të parave./abcnews.al