Gjykata Themelore e Prishtinës ka lënë në paraburgim për 30 ditë Jovan Viçentieviç, i dyshuar për sulmin me eksploziv në kanalin e ujit në Ibër Lëpenc. Edhe vëllai i tij Dragisha Viçentieviç është lënë në të njëjtën masë sigurie.
Sipas Prokurorisë dy vëllezërit qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.
Prokuroria thotë që të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtejshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e Jovan Viçentieviç autoritetet gjetën granata dorë, armë e municione dhe dokumente të ndryshme. Në lidhje me sulmin në veri policia ka shoqëruar 10 të dyshuar dhe disa ditë më parë një prej tyre u la gjithashtu në paraburgim. Tetë të tjerët janë liruar.
Pas sulmit në Ibër-Lepenc, dhe disa sulmeve të tjera radhazi në veri, autoritet kanë kryer bastisje në disa lokacione ku kanë gjetur arsenal armësh e dëshmi të tjera.
Qeveria e Kosovës ka deklaruar vazhdimisht se sulmi është drejtuar nga Beogradi. Ndërkohë presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mohuar lidhjet me sulmin dhe ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë jo vetëm me KFOR dhe EULEX, por edhe me Prishtinën.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Korporata Energjetike e Kosovës.
/abcnews.al/