Më 29 nëntor kanali i ujit në Ibër-Lepenc në Zubin Potok u sulmua me lëndë shpërthyese.
Eksperti i Sigurisë Bedri Elezi në emisionin “360 Gradë”, ndërsa komentoi ecurinë e hetimeve tha se vendi ndodhet përpara një sfidë serioze të sigurisë.
“Nuk është një çështje që ka të bëjë me konsum politik, por jemi përpara një sfide serioze të sigurisë. Në operacionet e policisë së Kosovës, kanë konfirmuar duke kryer disa bastisje në disa lokacione ku kanë siguruar mjete të ndryshme luftarake si edhe uniforma. Vlen të përmendet fakti se për të kryer këtë sulm terrorist janë përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv që nuk mund të sigurohet në tregun e zi”, tha ai.
Eksperti i Gjeopolitikës, Kreshnik Osmani u shpreh se Rusia po përpiqet që të krijojë tension për të arritur qëllimet e saj në të gjitha rajonet.
“Rusia në këtë moment po aktivizon “të gjithë pikat e tensionit të lartë” për të arritur qëllimet e saj strategjike në të gjitha rajonet. Hetimi i hollësishëm do të na çojë tek argumenti dhe prova e putrës rus”, tha ai.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Para shpërthimit në kanalin e ujit, në veri të Kosovës ishin regjistruar edhe dy incidente me mjete shpërthyese.
/abcnews.al/