Policia e Krujës ka vënë në pranga dy nga autorët e dyshuar për shpërthimin me tritol në një mobileri në fshatin Nikël të Fushë Krujës. Ndërsa për tritolin e vendosur në makinën e policit të burgut të Zaharisë ende nuk janë zbuluar autorët.
Kamerat e mobilerisë në fshatin Nikël të Fushë-Krujës kanë fiksuar momentin kur një nga autoret i afrohet biznesit dhe vendos mbi 200 gramë tritol tek dera hyrëse. Më pas autori kthehet sërish tek mjeti që e pret në rrugën kryesore dhe largohet me shpejtësi.
Në katin e parë të ndërtesës pati dëme të shumta materiale. Kurse në katin e tretë të objektit banojnë pronarët e mobilerisë. Policia ka arrestuar dy autorët e vendosjes së tritolit në biznesin e Dilaver Canit dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Njërit prej të arrestuarve iu gjet në banesë edhe një sasi kanabis sativa. Në të njëjtën orë një sasi tritoli ka shpërthyer në garazhin ku ndodhej makina e një polici në Fushë-Krujë.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Shpërthimi alarmoi gjatë natës edhe banorët e zonës. Mjeti është në pronësi të Përparim Çengës. Kjo është hera e dytë që i vendoset tritol makinës së tij. Ai ka punuar për disa vite si efektiv në komisariatin e Krujës dhe aktualisht ushtron detyrën si polic në burgun e Zaharisë. Mendohet se sasia e tritolit ka qenë mbi 150 gramë. Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve. Një pistë që po hetohet është për shkak të detyrës./abcnews.al