Një ndër pistat që po hetohet për shpërthimin me tritol që ndodhi një ditë më parë në Maqellarë është ajo e hakmarrjes. Pronarit të shtëpisë një vit më parë i kanë vrarë djalin e tij, ngjarje e cila ka mbetur pa autor. Lënda plasëse dyshohet të ketë shpërthyer me telekomandë.
Policia e Dibrës dhe ekspertë të lëndëve plasëse po hetojnë për zbardhjen e shpërthimit të një sasie tritoli në murin e stallës së Gazmir Kosiqit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Maqellarë të Dibrës.
Lënda plasëse dyshohet të ketë shpërthyer me telekomandë, kjo pasi në momentin e shpërthimit djali i tretë i familjes Ismail Kosiqi ka qenë duke kaluar aty pranë për të ushqyer bagëtinë.
Nga shpërthimi Ismaili ka pësuar disa gërvishtje gjatë largimit nga blloqet e betonit, si dhe janë lënduar 4 mushka .
Policia po heton në disa pista, ku ndër më kryesoret është ajo e hakmarrjes.
Kujtojmë se një vit më parë në 20 mars 2018 u vra djali i madh Elsi Kosiqi 32 vjeç në oborrin e shtëpisë, vrasje e cila ende është pa autor./abcnews.al