Rudi Vata, ish-lojtari i kombëtares shqiptare, madje kapiten i kuqezinjve, ka folur sonte në emisionin “Pressing” në ABC News. Në një lidhje direkte me Skype nga Spanja, shkodrani ka folur në lidhje me lënien jashtë për ndeshjen e bamirësisë që zhvillohet me 10 janar.
“Nuk ma ndonjë koment specifik. Nuk është se më ka prishur ndonjë gjë në karrierë. Normalisht më vjen keq që bëhen gjërat ashtu. Ajo është në kulturën e tyre. Unë jetoj mirë me çdo vendim që merret”.
“Unë karrierën time e kam fituar vetë, pa shoqëri. Ata që janë ftuar e dinë shumë mirë se çfarë pune kam bërë për të shkuar në ato nivele që kam luajtur. Nuk jam i ofenduar, pasi njerëzit që më vlerësojnë nuk e kanë kapacitetin të më vlerësojnë. Ata e dinë shumë mirë kush janë qokaxhinjtë. Ata e dinë që nuk jam ashtu. E dinë që kam fituar çdo gjë me djersë. Sot flisni për talente.
Futbollistët shqiptarë nuk janë në gjendje të përballojnë nivelet europiane. Jam i lumtur për atë që e kam arritur, e kam bërë vetë, edhe në Europë. Ai që ka bërë listën nuk ka kapacitetin për ta bërë. Janë njerëz që janë mësuar për shoqëri. Në futboll ka pak shokë dhe ka egoizëm. Ne shqiptarët jemi miqtë më të mirë dhe pastaj bëhemi armiqtë më të mëdhenj. Kurrë s’kemi pasur qëllime të luftojmë vetëm. Qëllimi arrihet me sakrifica. Disa nga ata që janë thirrur nuk e kanë mundësinë as të më qëndrojnë pranë”.
“Me FSHF-në nuk kam pasur problem. Me Dukën ulem pimë kafe, rrimë. Nuk e kam armik, kemi botëkuptime të ndryshme. Ka njerëz me vullnet, por janë të paktë. Shqipëria ka nevojë për njerëz të sakrificave. Ka njerëz që kanë shkuar në Europë dhe nuk kanë mundur të qëndrojnë dy javë. Janë kthyer se aty e kanë pasur më të lehtë. Unë nuk kam njeri inat. Po kalojnë vite dhe brezat e ri po rriten me edukatë të mbrapshtë. Nuk po u japim dot edukatën e duhur, s’kemi njerëz të mjaftueshëm”.
“Djali luan me Irlandën U15 momentalisht. Nuk guxoj unë me diktuar karrierën e fëmijës time. I jap këshilla, jo ta diktoj. Nuk është diçka e përhershme. Atij i shërben për mirë. Kur të vijë momenti final do të analizojë çdo gjë dhe të marrë vendimin. Nuk vendos unë. Njerëzit vendosin sipas ndjenjave. Jam prind liberal dhe kështu duhet të jenë të gjithë”. /abcnews.al