Pas revolucionit të dhunshëm, vjen normaliteti.
Mazhoranca socialiste pas ndryshimeve në kabinet u rikthye me 3 ministra të pranishëm në parlament, kurse opozita pa Berishën, pa molotovë e pa fishekzjarre.
Në seance u diskutuan hallet e qyetetarëve, përveç dy shpërthimeve të Gazit që këtë të hënë kishte mbetur vetëm, dhe Tritan Shehut të shqetësuar për situatën në Iran.
Në emër të PS, Taulant Balla i ktheu përgjigje se Rama është në një linje me Trump, kurse opozita duhet të zgjidhë hallin e Ajatollahut në Tiranë.
“Rama ka qenë në një linjë me Trump, mbështetje sulmit parandalues dhe solidaritet me vendet mike që u sulmuan nga Irani. Ajatollahu i vetëm i Europës, ju urdhëroi të godisnit një godinë që nga gjithë ne këtu vetëm Saliu, më parë ka qenë. Para viteve ’90 as e kishim ëndërr të hynim në atë godinë.”
Balla i kërkoi demokratëve të distancohen nga dhuna në protestë, ose të distancohen nga BE.
“Dikush nga grupi parlamentar i PD të mbajë një qëndrim në një linjë me PPE, siç e tha dhe McAllister, e të distancoheni nga dhuna në protesta. Nga një parti idealesh jeni bërë parti me zjarr e flakë ndaj projekteve të huaja, Art Explora është franceze.”
Reflektim për dhunën nuk pati. Këtë herë, pa zhurmë, deputetët demokratë u larguan nga seanca, me arsye.
Balla: “Ndërkohë që jemi këtu në foltoren për qytetarët, ju braktisni Parlamentin që të shkoni në një tjetër foltore, ku bashkë me shërbimet mbështetëse të PD bëheni 70 veta.”
Berisha mblodhi foltoren e tij, poshtë fiksimit të tij të jetës, zyrës së Edi Ramës.


