Shpërthim në zemër të Ankarasë

schedule22:26 - 1 Shkurt, 2018

schedule 22:26 - 1 Shkurt, 2018

Një shpërthim i fuqishëm në zemër të Ankarasë ka shkatërruar zyrën e tatim taksave. Për fat të mirë, në momentin e shpërthimit godina ishte e boshatisur.

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku si pasojë janë verifikuar një seri dëmesh materiale ndaj ndërtesave dhe makinave në një rreze prej 1 kilometër.

Ambulancat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, edhe pse për momentin nuk raportohen të plagosur. Guvernatori i qytetit, Erkan Topaça ka deklaruar se shpërthimi ka ndodhur në zyrën e tatim taksave. Ai ka bërë me dije se në atë moment zyrat ishin bosh dhe ka shtuar se mbi ngjarjen ka nisur një hetim.

“Shpërthimi ka ndodhur në dhomën e ngrohësve të ujit. Për fat të mirë godina ishte bosh dhe tashmë atje ndodhet policia”, ka deklaruar Topaca. Ndërkohë, pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë se ndërtesa ka pësuar dëme materiale kolosale.

Në muajt e fundit Turqia është goditur nga sulme të shumta terroriste, pa harruar këtu destabilitetin e shkaktuar nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016, kur u sulmua me bombë edhe selia e parlamentit./abcnews.al