Nëntë fëmijë humbën jetën nga shpërthimi i një bombe në Afganistan, njoftojnë autoritetet.
Fëmijët ishin duke shkuar në shkollë në momentin kur shkelën në mjetin shpërthyes. Në Afganistan, fëmijët shkojnë në shkollë edhe të shtunën, ndërsa shpërthimi i bombës ndodhi në provincën verilindore të Takharit.
“Kjo zonë është nën kontrollin e talibanëve dhe që prej kohës kur forcat e sigurisë kryen sulme kundër këtij grupi, talibanët kanë vendosur mina kundër tyre”, tha Khalil Asir, zëdhënës i policisë lokale.
Fëmijët ishin të moshës 9 deri në 12-vjeç dhe siç ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, katër prej tyre ishin nga një familje talibanësh.
Numri i viktimave civile në Afganistan është rritur në nivel rekord këtë vit, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së dhe talibanëve për të arritur marrëveshje të paqes përmes negociatave.
Rreth 4300 njerëz janë vrarë ose plagosur nga korriku deri në shtator. Kjo shifër është 42 për qind më e lartë se ajo e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar./Abcnews.al