Edin Terzic mori drejtimin e Borussia Dortmund dhjetorin e kaluar. 38-vjeçari ka bërë një punë shumë të mirë, duke ia dalë të arrijë dy objektivat e vendosura nga drejtuesit: kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm dhe fitimin e Kupës së Gjermanisë.
Nesër zhvillohet sfida e fundit e këtij sezoni në Bundesligë. Verdhezinjtë presin në shtëpi Bayer Leverkusen, teksa Terzic ka vendosur të thumbojë kritikët e tij në konferencën e zakonshme për shtypin.
“Jam i lumtur që i realizuam dy objektivat e klubit. Tani do të kem më shumë kohë për të menduar rreth situatës time. Nuk do të ketë më konferenca për shtypin, nuk do më duhet t’u përgjigjem më pyetjeve tuaja.
Derisa të fillojë Euro 2020 nuk do të ketë ndeshje, kështu që do të keni kohë të shkruani çfarë të doni. Ka kaq shumë ekspertë që komentojnë dhe japin mendimin e tyre, ata e shikojnë punën time si trajner: formacionet e mia, rezultatet, taktikat e mia…
Kam vënë re që dikush nuk ishte në gjendje as të shqiptonte mirë emrin tim, por kjo nuk e ndalonte të vinte në dyshim besnikërinë apo sjelljen time. E padrejtë. Vlerësoni punën time, por më lini të qetë në aspektin njerëzor“, theksoi Terzic. /abcnews.al