Shpërthen në Rripin e Gazës, Izraeli shpall gjendje lufte

schedule09:48 - 7 Tetor, 2023

schedule 09:48 - 7 Tetor, 2023

Grupi militant i Hamasit lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin.

Ndërsa sirenat e alarmit po binin në të gjithë Izraelin jugor dhe qendror, duke përfshirë Jerusalemin, ushtria izraelite shpalli gjendjen e luftës. Kryeministri Benjamin Netanyahu thirri një takim urgjent të zyrtarëve të sigurisë.

Sulmi i sotëm ishte më seriozi që nga lufta 10-ditore midis Izraelit dhe Hamasit në vitin 2021, me mediat izraelite që raportuan përleshje midis grupeve militante palestineze dhe forcave të sigurisë në qytete në jug të Izraelit.

Mohammed Deif, një komandant i lartë ushtarak i Hamasit, njoftoi nisjen e operacionit në mediat e Hamasit, duke u bërë thirrje palestinezëve kudo që janë të luftojnë.

“Kjo është dita e betejës më të madhe për t’i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë,” tha ai, duke shtuar se 5000 raketa u lëshuan në vetëm 20 minuta.

Një grua izraelite u vra, thanë shërbimet e urgjencës, ndërsa ekuipazhet e ambulancës u vendosën në zonat përreth Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj po operonin brenda Gazës, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Një numër terroristësh janë infiltruar në territorin izraelit nga Rripi i Gazës”, tha ushtria në një deklaratë, duke shtuar se banorët në zonën përreth Rripit të Gazës ishin paralajmëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se Hamasi kishte “lansuar një raketë masive nga Rripi i Gazës në territorin izraelit” dhe se militantët kishin hyrë në territorin izraelit në “lokacione të ndryshme”. Në deklaratë thuhet se shefi i shtabit po bënte një “vlerësim të situatës” dhe se Hamasi “do të përballet me pasojat dhe përgjegjësinë për këto ngjarje”.

Mediat izraelite raportuan se persona të armatosur hapën zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin jugor izraelit të Sderot, ndërsa videot që qarkullonin në mediat sociale dukej se tregonin përleshje në rrugët e qytetit si dhe persona të armatosur me xhipa që lëviznin nëpër fshat.

Mediat palestineze raportuan gjithashtu se një numër izraelitësh u kapën robër nga militantët, ndërsa media e Hamasit publikoi video që tregonte një makinë të blinduar izraelite të dëmtuar.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me zyrtarë të lartë të sigurisë në orët e ardhshme, ndërsa ministri i Mbrojtjes Yoav Gallad miratoi mobilizimin e rezervistëve.

Në Gaza, banorët mund të dëgjonin zhurmën e raketave ndërsa raportonin për përplasje të armatosura përgjatë kufirit me Izraelin pranë qytetit jugor të Khan Younis dhe panë lëvizje të luftëtarëve të armatosur.

Shërbimi i Ambulancës izraelite tha se ekipet ishin dërguar në zonat në jug të Izraelit pranë Gazës dhe se banorët ishin paralajmëruar të qëndronin brenda. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!