Agjenti i njohur, Mino Railo, është rikthyer të kritikojë FIFA-n. Tashmë dihet prej kohësh se italiani është kundër parimeve të organit më të lartë të futbollit në botë dhe këtë ai nuk nguron ta shprehë. Në një intervistë për “The Athletic”, Raiola kërkon një sistem të ri dhe më të ndershëm nga ky i sotmi. Në fund ai ndalet dhe tek marrëdhënia e tij me lojtarët, ku sigurisht veçon rastin e Ibrahimovicit.
“Unë mendoj se FIFA nuk duhet të ekzistojë. Ëndrra ime është shpresoj të jetoj e ta shikoj një sistem të ri futbolli, një sistem dhe industri më të ndershme. Ky i sotmi është një sistem i vjetër. Kur kemi skandale çdo vit nuk është më një rastësi. Ajo është pjesë e ADN-së tuaj sepse organizata juaj është ajo që është. Prandaj pyetja më e madhe sot në vitin 2021 është cili është kuptimi për të patur një organizatë si FIFA.
Nuk mund të pranoj që një organizatë që ka njerëz në burg të rregullojë jetën time dhe biznesin tim. Unë nuk do ta pranoj atë. Nuk do të pranoj që ata janë shefat e mi. Nuk do të pranoj që ata duan të rregullojnë gjërat në një mënyrë që nuk është logjike dhe kundër parimeve të mia. Kurrë nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj.
Meqenëse marrim shumë para nga futbolli, ne shihemi si kriminelë. FIFA, për të larguar vëmendjen nga problemet reale që ka, ai përdor si një kurban, duke kaluar rregullore të pakuptimta. Në rregull, por ne nuk do të dorëzohemi
Marrëdhënia me klientët? Të gjithë e dinë se marrëdhënia që kam me lojtarët e mi është shumë e fortë. Zlatan ka 20 vjet me mua, kështu që marrëdhënia me të është edhe më e ngushtë. Ibra është më i fortë nga sa ai vetë mendon. Unë jam gjithmonë atje për ta mbrojtur atë, për t’i thënë: ‘Dëgjo po bën një budallallëk ndalo’. Kjo duhet të jetë puna ime”, përfundon Raiola. /abcnews.al