Shpërthen gazetari investigativ: Titulli i vendosur, ju të tjerët ngrohuni në diell!

schedule08:10 - 3 Gusht, 2020

schedule 08:10 - 3 Gusht, 2020

Teuta fitoi Kupën e Shqipërisë një ditë më parë, ndërkohë që gazetari Artan Hoxha nuk ka duruar dot dhe në rrjetet sociale e konsideron gjithçka të paravendosur dhe të komanduar nga një njeri: kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ky është mendimi i tij, edhe pse shumëkush, madje edhe me të drejtë, mund ta kundërshtojë. Për Hoxhën edhe titulli i vjetshëm i Partizani, i pakontestuar, edhe ky i Tiranës, gjithashtu i pakontestuar, “mbajnë erë”. Madje sipas tij, është vendosur titullin kampion ta fitojë Kukësi për sezonin e ri.

“Finalja e Kupës së Shqipërisë, Tirana vs Teuta 0-2. Më mirë se kaq nuk bëhej. Më vjen keq për çdo tifoz të Tiranës, që shpresonte se do të përsërisnin vitin 1999, hera e fundit kur Tirana fitoi kampionatin edhe kupën bashkë.

Nuk kisha pikën e dyshimit, që Teuta fitonte sot. Ehuuuu, janë rregulluar me kohë ato punë… Don Duka i ndau dhe një herë trofetë, si pashai asqerëve të tij… Tirana kishte 100 vjetorin e themelimit dhe 11 vite pa u shpallur kampion. U shpall kampion, për herë të 25-të. Ta gëzoje.

Teuta kishte 100 vjetorin e themelimit dhe 15 vite pa fituar trofe.

U shpall fituese e kupës, për herë të 4-t. Ta gëzoje. Laçi donte të luante në kupat e Europës. Do të luajë në Europa League. Ta gëzoje. Partizani?!!! E kënaqën vitin e kaluar, e shpallen kampion pas 26 vitesh. Nuk ka ccfarë kërkon më shumë nga jeta!!!

Kukësi??!! Ah Kukësi! Vitin tjetër do të ketë stadium të ri në qytetin e vet. Ndërsa presidenti-kryebashkiak i Kukësit do të ketë zgjedhje politike në majin e 2021-shit dhe sigurisht i duhet një premtim i mbajtur për fushatën elektorale të mazhorancës.

Mbajeni mend që tani. Kukësi do të jetë kampioni i ardhshëm i Shqipërisë. Ta gëzoje. Unë për vete po e deklaroj haptazi, për sezonin e ri do të bëj tifozllek për Armatën e Veriut, skuadrën e Kukësit.

FSHF nuk ka asnjë përvjetor dhe as një qokë për të bërë, në sezonin e ardhshëm. Ju të tjerët ngrohuni në diell!!! Don Duka do të vazhdoje të mbretëroje i qetë dhe pa kokëçarje politike, në sulltanatin e vet… Ëndrra janë, bën vaki dhe s’dalin”, shkruan gazetari investigativ në llogarinë e tij në “Facebook”.

Disa orë më pas “riaktivizohet” sërish dhe bën një tjetër postim: “Safet Gjici për mbylljen e sezonit futbollistik 2019-2020: ‘Kështu u nda kjo punë për sivjet…”. Mos më thuaj, që e ke fjalën për atë që kam në mendje dhe unë. Për Sulltanin pra, ai që i ndan punët si brigadier, vendos kush del kampion, kush fiton kupën, kush del në Europa League, kush del nga kategoria dhe kush ngrohet ne diell… Ja pra kështu ndahen punët, jo po t’ua lërë në dorë skuadrave dhe lojtarëve, ta bëjnë lëmsh kampionatin”. /abcnews.al