Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për zyrtarët e Bashkisë Tiranë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në procedurat e shembjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në zonën e Kombinatit.
Tri ditë më parë Prokuroria e Tiranës zbardhi emrat e zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, ku përfshihen drejtuesit e Emergjencave Civile, inspektorë të IMT dhe përgjegjës të Sektorit të Politikave të Kompensimit, ndaj të cilëve prokuroria kërkoi masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje”.
Zyrtarët ndaj të cilëve u vendosën masat e arrestit janë:
-Aurel Boriçi, drejtor i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, lënë në “Arrest shtëpie”.
-Eleana Guçe, përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Kompensimit nga Fatkeqësitë Natyrore në Bashkinë e Tiranës, në “Detyrim paraqitje”.
-Aurel Çuko, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, në “Arrest shtëpie”.
-Rexhina Rakipi, Specialiste e IMT, Bashkia Tiranë, në “Detyrim paraqitje”.
-Sokol Qehajaj, Specialist i IMT, Bashkia Tiranë, në “Arrest shtëpie”.
-Aleksandra Mahmutllari, mbikëqyrëse e punimeve, përfaqësuese e kompanive, në “Detyrim paraqitje”.
-Shyqyri Maloku, përfaqësues ligjor i kompanive në “Detyrim paraqitje”.
-Fatmir Firi, përfaqësues i kompanive në “Detyrim paraqitje”./abcnews.al

