Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpall të pafajshëm ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. Ai qëndronte në qeli prej shkurtit të vitit 2017, ndërsa ishte dënuar 5 vjet burg nga Shkalla e Parë në 11 maj 2018 për akuzën e “korrupsionit”.
Sipas një Kolegji Penal të kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, nuk rezultonte e provuar që Zoto të ketë konsumuar veprën penale për të cilin akuzohej. Për këtë shkak, Apeli vendosi ndryshimin e vendimit të mëparshëm dhe deklarimin e pafajshëm të të pandehurit. Zoto nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së vendimit, ku përfaqësohej me avokat. Përmes të njëjtit vendim gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të ish-zyrtarit të lartë të Burgjeve, nëse ai nuk mbahej i izoluar për llogari të ndonjë procedimi tjetër penal.
Fjala përfundimtare e gjykatës u prit me duartrokitje e brohorima nga familjarë dhe miq të Zotos në sallën e gjyqit. Ish-kreu i burgjeve fitoi betejën me drejtësinë pas 1 viti e 9 muajsh qëndrim në qeli. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ai kishte marrë një rryshfet prej 2 milionë lekësh, pasi kishte paracakuar fituesit e tenderave në Qershor të vitit 2016 për furnizimin e burgjeve me ushqime. Prova më e fortë e prokurorisë ishte dëshmia e ish-vartësit të Zotot, ish-zv.drejtorit të Burgjeve, Iliaz Labi, bashkëpunëtor i prokurorisë, i cili pretendonte se i kishte dorëzuar këtë rryshfet në zyrë. Nga moment i arrestimit dhe në vijimësi gjatë gjykimit në Shkallën e Parë dhe në Apel Zoto mbajti qëndri mohues për akuzën duke e konsideruar të montuar dhe të pabazuar në prova./abcnews.al