Grupi i rrokut Maneskin janë shpallur fitues të Festivalit të 71-të të Sanremo-s. Në vendin e dytë u rendit Fedez dhe Francesca Michielin me “Chiamami per nome”, ndërkohë që Ermal Meta zuri vendin e tretë me këngën “Un milione di cose da dirti”.
Këngëtari shqiptar u lakua nga mediat italiane si pretendenti kryesor për çmimin e parë dhe kënga e tij, si e denjë për të fituar festivalin. Do të ishte fitorja e dytë për shqiptarin, pas triumfimit në vitin 2018 me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”.
Pas përfundimit të festivalit, këngëtari shqiptar ka reaguar përmes një postimi në Instagram ku shpreh falenderimet për mbështetjen që i kanë dhënë. “Ishte e mrekullueshme, falenderime të përzemërta për të gjithë. Më pëlqeu dhe jam i lumtur që mora pjesë në atë skenë të rëndësishme. Rroftë muzika!”, ka shkruar Ermali. /abcnews.al