Shpallet epidemia e fruthit në Maqedoninë e Veriut

schedule09:30 - 17 Prill, 2019

schedule 09:30 - 17 Prill, 2019

Rritja e të prekurve nga epidemia e fruthit ka detyruar autoritetet në Maqedoninë e Veriut të shpallin emergjencë kombëtare. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, ndryshe ata nuk do të pranohen në institucionet arsimore.

Fëmijët e pavaksinuar përveç se në çerdhet e fëmijëve nuk do të mund të pranohen as edhe nëpër shkollat e vendit, njoftuan autoritetet e Maqedonisë së Veriut prej se qeveria miratoi informacionin e Komisionit për sëmundje ngjitëse që të shpallet epidemi e fruthit në gjithë vendin.

Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë: “Asnjë fëmijë i pavaksinuar nuk do të pranohet në çerdhe dhe në shkolla. Si masë shtesë kemi gjetur edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur sipas ankesave të dorëzuara paraprakisht nga prindërit, në vitin 2014 dhe në vitin 2015, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta, askush nuk ka të drejtë të rrezikojë shëndetin publik, as nuk ka të drejtë me vullnetin e tij të rrezikojë të drejtën e fëmijës të jetë I shëndoshë”.

Numri i të infektuarve javën e kaluar , më i madh se numri mesatar i të sëmurëve në muajt e kaluar, i shqetësoi  punëtorët shëndetësorë, për çka tani janë të ndaluara vizitat nëpër spitale, që të mund të izolohen pacientët me imunitet të dobët.

Vladimir Mikiç, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik: “Për momentin kemi mbi 70 fëmijë të hospitalizuar, prej të cilëve 55 janë në Klinikën e sëmundjeve ifenktive, 15  në Klinikën e Pediatrisë, ndërsa prej tyre 7 janë në gjendje më të rëndë”.

Nga mesi i Dhjetorit deri sot në Maqedoni janë infektuar rreth 1000 persona me fruth, prej të cilëve tre e humbën jetën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!