Tre punonjësit e Bashkisë së Matit të vrarë sot në fshatin “Shlli” janë shpallur “Nderi i Bashkisë Mat”. Vendimi u mor nga Këshilli Bashkiak, që vendosi gjithashtu uljen në gjysmështizë të flamurit bashkiak.
Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh pasditen e sotme pas krimit të rëndë që tronditi qytetin.
Tre punonjësit e Bashkisë u vranë në krye të detyrës për shtrimin e një rruge në fshatin Shëlli. Ata u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga banori Kujtim Koxha, pas një debati që patën mes tyre.
Punonjësit që u vranë janë Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buci, ndërsa u plagos Astrit Hani.
Deklarata e Këshilli Bashkiak Mat
Këshilli i Bashkisë Mat i mbledhur me datë 11.10.2018 ora 18:30 pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin “Shlli” me 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, doli me këtë deklaratë:
Ju drejtohemi së pari familjarëve për t’ju shprehur dhimbjen e sinqertë për humbjen e të dashurve Tuaj duke ju përcjellur ngushëllimet me besimin në forcën Tuaj për përballimin e kësaj humbje të madhe.
Dënojmë kolegjialisht aktin kriminal të ndodhur ndaj punonjësve të Bashkisë Mat të rënë në krye të detyrës si dhe inkurajojmë të gjithë punonjësit e Bashkisë Mat në kryerjen e detyrës së tyre pa u lëkundur ndaj këtyre fenomeneve. Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe ndëshkimin e autorëve.
Këshilli i Bashkisë Mat në mënyrë unanime vendosi për të rënët dhënien e titujve të nderit “ Nderi i Bashkisë Mat” për rënien në krye të detyrës.
Këshilli i Bashkisë Mat vendosi dhe uljen e flamurit Bashkiak në gjysëm shtizë. /abcnews.al