7 dhjetori është përcaktuar si data kur Kuvendi i Shqipërisë do të hedhë shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky vendim erdhi pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta njoftoi Kuvendin se nuk mund ta hidhte shortin për shkak të vakumit ligjor.
Refuzimit të Presidentit të Republikës i dha zgjidhje Kryetari i Kuvendit. Në datën 7 dhjetor do të hidhet shorti për të përzgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Institucioni i ri i reformës në drejtësi i ngritur 10 muaj më parë nuk ka funksionuar asnjë ditë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka si funksion përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. KED, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën 1 janar të çdo viti kalendarik.
Sipas ligjit Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga Gjykatat Administrative. Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë”
Vakumi ligjor e pengoi Presidentin e Republikës që të hidhte shortin përzgjedhës. Këtë e argumenton në shkresën e datës 26 nëntor drejtuar Kuvendit.
“Për shkak të vakumit ligjor nuk e hedh dot shortin e KED. Ndërhyni në ligj ose në të kundërt hidheni vetë shortin sipas precedentit të vjetshëm”.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar dy lista për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Pas hedhjes së shortit dhe konstituimit të KED, pritet të plotësohen dhe 7 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, edhe ky një institucion jashtë funksionit për shkak se gjyqtarët nuk kaluan dot vettingun në drejtësi.
Ky do të jetë shorti i dytë përzgjedhës, pasi i pari u hodh në 27 Janar të këtij viti. /abcnews.al