Refik Halili, presidenti i Tiranës, pasi ka mësuar se skuadra e tij do të përballet me Dinamo Tbilisi në turin e parë kualifikues të Champions League, ka folur për faqen zyrtare të klubit dhe është i kënaqur me atë që goglat i kanë rezervuar skuadrës së tij.
“Ndihem vërtet mirë, madje jam i qetë. Edhe pse ka pandemi, futbolli vazhdon. Është lehtësim fakti që të vazhdojmë të respektojmë ato rregulla që ka vendosur UEFA si edhe Federata Shqiptare për futbollin.
Kisha pritshmëri për shortin. Më tepër u gëzova për këtë përzgjedhje të fatit, pasi ne kemi luajtur më parë me FC Dinamo Tbilisi. Për klubin ishte short i mirë, duke shpresuar që të ecim bindshëm përpara.
Brenda javës do të kemi edhe tre afrim të reja. Shpresoj edhe uroj që të gjithë futbollistët të vazhdojnë të gëzojnë shëndet të mirë edhe të shkojmë në Gjeorgji të mobilizuar për të zhvilluar këtë ndeshje të radhës”, mbyll Halili. /abcnews.al