Shoqërimi i ish-deputetit Kastriot Islami, reagon policia: Na fyeu me fjalor të ulët

schedule21:32 - 15 Nëntor, 2020

schedule 21:32 - 15 Nëntor, 2020

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me shoqërimin e ish-deputetit Kastriot Islami ditën e djeshme në Komisariatin 2 të Tiranës.

Sipas Policisë, shoqërimi i Islamit është bërë pasi ky i fundit ka përdorur fjalor fyes ndaj efektivëve, të cilët e kanë ndaluar pasi ai ishte pa maskë.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thotë se Islami ka kërcënuar punonjësit duke u thënë se; “do ta shihnin pas 25 prillit si të gjithë zagarët e Ramës”, gjë që ka bërë shoqërimin e detyrueshëm të tij për të kryer procedurat ligjore.

Më tej, policia ka hedhur poshtë akuzat e Islamit, duke thënë se i shërben ligjit dhe jo politikës.

Njoftimi i Policisë:

Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar.

E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.

Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!