Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj e ka quajtur të përdorur politikisht protestën për vrasjen e Klodian Rashës, ku sipas saj ai grupim nuk përfaqëson sot rininë shqiptare. Lidhur me akuzat e kryebashkiakes së Shkodrës Voltana Ademi se policia në Shkodër nuk ndërhyri kur digjej selia e PS, Felaj u shpreh se ky është një justifikim nga ana e saj.
“Kemi lënë pas 21 Janarin që jepeshin urdhra politikë nga shteti për të qëlluar protestuesit. Ne i rikthyem policisë arsimimin. Ka shumë të rinj që aplikojnë kur shpallen vakancat. Të rinjtë aty nuk përfaqësojnë rininë shqiptare siç ishte protesta e studentëve.
Ajo që thotë Ademi, është një justifikim infantil si ata fëmijët që i vunë përpara për të sulmuar selinë e PS. Është e qartë se pse përdoren fëmijët. Në kohë moderne fëmijët i përdorin terroristët. I bëj apel të gjithë prindërve të mbajnë përgjegjësi për fëmijët e tyre. Prindërit nuk duhet të tregohen kaq të shkujdesshëm. PD dhe LSI nuk arritën kurrë të maturohen”, deklaroi Felaj.
Felaj foli edhe për shoqërimet e të miturve nga policia duke theksuar se nuk është shkelur ligji me asnjërin prej tyre. Ndërsa dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ajo e vlerësoi si një akt moral pa dashur të japë një opinion për marrëdhënien e tij me kreun e qeverisë Edi Rama.
“Minorenët do të shoqërohen se askush nuk e ka të shkruar në ballë sa vjeç është. Çdo veprim ndaj atyre që janë 14-vjeç e sipër është bërë konform Kodit Penal. E gjitha që ngrihet është tymnajë sepse nuk ka veprime të paligjshme në këtë mes. Në një kohë kur të gjithë kemi nevojë të kalojmë pandeminë me mbështetje, këto nuk po na lejojmë. Ata po dalin aty duke mos pyetur askënd ndërkohë që jetojmë në një kohë të përbotshme. Njerëzit të ndërgjegjësohen se shëndeti duhet ruajtur.
Kam vlerësimet e mia për Lleshajn. E kam konsideruar aktin e tij si një akt moral. Besoj që në letrën e tij ishte më se i qartë. Sa kohë qëndroi në këtë detyrë ai ishte në lartësinë e duhur dhe asnjëherë nuk u përfol për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Secili ka raportet e veta. Këto janë raporte pune dhe sa kohë ato reflektohen normalisht nuk ka nevojë për koment”, u shpreh Felaj./mv.abcnews.al