Shoku më i ngushtë e shiti për një dorë lekë, historia e tradhtisë që çoi drejt pritës Eri Zefin

schedule14:11 - 30 Tetor, 2019

schedule 14:11 - 30 Tetor, 2019

Policia njoftoi se kishte shpallur në kërkim Mikel Alinë nga Fani i Mirditës me akuzën se kishte bashkëpunuar me vrasësit e Eri Zefit të ekzekutuar disa javë më parë në këtë zonë për ta nxjerrë atë në pritë.

Policia thekson se e ka të faktuar rolin e Alisë në ftesën për ta nxjerrë nga shtëpia dhe çuar para vrasësve në një zonë me shkurre pak metra larg “Rrugës së Kombit” në Fan.

Gjakmarrja

Eri Zefi i kishte kufizuar lëvizjet e tij prej disa muajsh pasi vëllai i tij Ndue Zefi kishte vrarë pas një sherri banal Martin Ndrecën në Durrës.

Eri Zefi i druhej gjakmarrjes dhe për këtë arsye kishte marrë masa të forta sigurie duke mos dalë shumë nga shtëpia, ndërsa takohej vetëm me personat që u besonte më shumë.

Një ndër ta ishte miku i tij i fëmijërisë Mikel Alia sipas policisë. Këtë fakt e kanë ditur edhe hasmit e tij dhe ata kanë filluar të lidhin kontaktet me të duke i ofruar para në mënyrë që ta nxirrte Zefin nga banesa e tij.

Tradhtia
Pasi është marrë vesh me hasmit e Zefit për një shumë ende të papërcaktuar parash sipas policisë, ai ka gjetur një shkak për ta nxitur atë që të dalë nga shtëpia duke e ftuar që të shkonin për të vjedhur një sasi lënde narkotike në një zonë pranë Fanit ku ai iu tha se ishte fshehur.

Eri Zefi i ka besuar shokut të tij duke dalë në mes të natës nga shtëpia. Ai udhëtoi me makinë me shokun e tij për tu futur në një zonë me shkurre pranë autostradës Durrës-Kukës.

Alia i tha Zefit se aty ndodhej droga që do të vidhnin, por në fakt e kishte çuar në kurth dhe nga shkurret dolën dy persona sipas policisë, të cilët fillimisht e keqtrajtuan për të qëllua me gjashtë plumba në trup, dy në kokë dhe katër në gjoks.

Policia thotë se e ka të dokumentuar këtë ngjarje duke e shpallur në kërkim Alinë si bashkëpunëtor në vrasjen e Eri Zefit. /abcnews.al