Shoku i Vis Martinajt, i akuzuar për vrasje: Kush është ish-polici që përplasi patrullat e policisë në Tiranë

schedule11:36 - 17 Mars, 2020

schedule 11:36 - 17 Mars, 2020

Policia arrestoi gjatë ditës së djeshme një person, i cili kishte dalë me makinë duke shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, ndërsa përplasi edhe dy makinat e policisë gjatë tentativës për ta ndaluar.

Pas kësaj, forcat e rendit iu vunë pas duke e arrestuar në një fshat të Vorës.

Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për ish-policin Mirsad Kuçanaj, i akuzuar për vrasjen e Enton Nikajt në Linzë të Tiranës në vitin 2015.

Kuçanaj njihet si shoku i Ervis Martinajt, dhe u gjykua si bashkëpunëtor në vrasjen e Nikajt, por u lirua më pas.

Vrasja e Enton Nikës në nëntor 2015

Enton Nika u vra në nëntor të vitit 2015 pas një debati verbal me Emiljano Tashon, Mirsda Kuçanën dhe Ervis Martinajn në parkingun e lokalit “Muraga” në Linzë të Tiranës.

Në debat e sipër, Martinaj dhe shokët e tij i afrohen Nikës. Pasi i vendosi dorën në qafë, Martinaj i drejtohet Nikajt me fjalët: “O çuni, me njeh ti mua kush jam”.

Pasi shkëmbyen disa fyerje, nga grupi i Martinajt u qëllua ndaj Nikës, i cili mbeti i vdekur në vend.

Kush është Mirsad Kuçana

Ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej vitit 2009, kur ai mbaroi Akademinë e Policisë e deri në fillim të vitit 2015. Menjëherë, pas kursit 6-mujor të policisë, Kuçana u emërua në patrullën e përgjithshme të Komisariatit nr. 2, detyrë të cilën e mbajti deri në nëntor të 2013. Më vonë ai u transferua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, ku edhe atje ka qenë me të njëjtën detyrë, në patrullën e përgjithshme. Kuçana kishte hequr dorë nga shërbimi policor dhe punonte si badigard në klubet e natës dhe si roje sigurie në lojërat e fatit në kryeqytet.

Nga pamjet filmike te siguruara ne restorantin ku ndodhi ekzekutimi, Mirsadi ka qenë prezent në momentin e vrasjes së Enton Nikës dhe plagosjes së pronarit të bar-restorant “Muraga”, Ismet Gaxherri. Ndaj Kuçanajt, rëndonte akuza për “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.

Njoftimi i policisë për ngjarjen e djeshme

Në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E. K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhëne shenjë për të ndaluar mjetit tip BMW me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale.

Mirsad Kucana, gjate gjykimit per vrasjen e Nikes

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Arrestimi i shtetasit M. K., u bë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërsa vëllai i tij shtetasi E. K. është proceduar penalisht, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!