Reagimet e para në Maqedoninë e veriut nga politikanë të partive shqiptare, për zgjedhjet në Kosovë, kanë qenë në formë urimi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend. Ata e cilësojnë fitoren e opozitës si një frymë të re shqiptare.
Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë zgjedhur rrjetet sociale për të bërë komentet e para për rezultatet zgjedhjeve të djeshme në Kosovë. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se Qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe partitë e tyre politike demonstruan standarde evropiane në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si gjatë fushatës ashtu edhe në ditën e votimeve, por edhe në pranimin e vullnetit të sovranit.
“Mbrëmë fitoi Kosova, ndërsa në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve” – shkruan Ali Ahmeti.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela gjithashtu ka uruar qytetarët e Kosovës për mënyrën demokratike të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, por ka uruar edhe liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin për fiotoren në këto zgjedhje.
“Shqiptarët në Kosovë sot u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, Ndryshimin. Urime Vetëvendosje, urime Albin.. Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën”, shkruan lideri i ASH-së në Facebook.
Edhe Kryetari i lëvizjes Besa Bilall Kasami ka përshëndetuar, sic thotë, vlerat evropiane në organizimin e zgjedhjeve. Por, mes tjerash Kasami paralajmëron një frymë të re ndër shqiptarët.
“Fitorja bindëse e forcave opozitare në Kosovë tregoi se po vjen një frymë e re ndër shqiptarët, e cila besoj të vazhdojë edhe me një fitore të tillë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e ardhshme!” , ka shkruar kreu i Besës Bilall Kasami në Facebook.
“Kjo mund të jetë fitore “e vogël” e VV-së, por është fitore “e madhe” e shqiptarëve të Kosovës” – ka qenë urimi i kreut të Alternativës Afrim Gashit, duke shfaqur shpresën për konstituimin sa më shpjet të institucioneve të reja në Kosovë.
“Zgjedhjet e mbrëmshme në Kosovë e patën edhe një porosi tjetër – po ndërrohen gjeneratat dhe po vjen një kohë e re me shpresë për të rinjtë dhe për vatrat tona. Fryma e këtij ndryshimi do të reflektohet edhe matanë kufijve” , ka shkruar kreu i Alternativës Afrim Gashi në Facebook./abcnews.al