Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, njoftoi se ka dërguar në Shkup propozimet e Athinës për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gjithashtu është konfirmuar vizita e tij dy ditore, të enjten dhe të premten në Maqedoni.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, tha se teksti që përmban propozimet e Athinës dhe agjendën për bashkëpunimin e ardhshëm është dërguar në Shkup. Këtë dekleratë shefi i diplomacisë e bëri në Bruksel pas mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Europian. Kotzias duke iu përgjigjur pyetjes nëse gjatë vizitës në Shkup do ta dërgojë edhe projekt marrëveshjen, ai shprehet:
Nikos Kotzias, minister i Jashtëm i Greqisë: “Tju them diçka ekskluzive. Përgatitëm një draft me sugjerimet tona në mënyrë të plotë, në lidhje me problemet e hapura që kemi me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ashtu edhe me agjendën e bashkëpunimit të ardhshëm, prej të cilit do të përfitojnë të dyja palët. E kam dërguar këtë tekst disa ditë më parë në Shkup”.
Ndërkohë ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar për vizitën e Kotzias në Maqedoni. Zyrtari i qeverisë së Athinës do të qëndrojë në Shkup të enjten dhe të premten me 22 dhe 23 Mars. Më pas “më 30 Mars, ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, do të takohen në Vjenë, së bashku me ndërmjetësuesin Mettheë Nimetz”.
Përveç termit “Maqedonia e Epërme”, si alternativë të mundshme për emrin e ri, mediat greke raportojnë dhe propozimin “Maqedonia Sllave”. Megjithatë për këtë do të duhen ndryshime kushtetuese në kuvendin e Shkupit, gjë të cilën qeveria e kryeministrit Zoran Zaev e kundërshton./abcnews.al