Shkup, kandidatët për president debat për shqiptarët

schedule18:50 - 26 Prill, 2019

schedule 18:50 - 26 Prill, 2019

Debati politik mes kandidatëve presidencialë në Maqedoni ka patur në fokus shqiptarët. Gjatë replikave, kandidatja Gordana Siljanovska ka akuzuar LSDM-në për episodet e verifikuara në Gostivar e Tetovë. Ndërsa Stevo Pendarovski është përgjigjur duke ia faturuar përgjegjësinë VMRO-së.

Ashtu siç pritej, pjesa më e nxehtë e debatit të parë të rrethit të dytë mes dy kandidatëve për President ishte për shqiptarët. Të dy kandidatët i numëronin të bërat e qeverive të kaluara ndaj shqiptarëve dhe tentonin që fajin t’ia hedhin njëri-tjetrit.

Gordana Siljanovska Davkova, kandidate për presidente: “Kam frikë se keni qenë të shpërblyer për aksionet e “suksesshme” në Gostivar dhe Tetovë. Episodi më turpshëm i politikës maqedonase ndaj shqiptarëve. Rastet si Ladorishta, Bit Pazari, Tetova, nuk harrohen”.

Stevo Pendarovski, kandidat për president: “Gjatë rastit të Ladorishtës, unë nuk kam qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë kohës së ngjarjeve për Universitetin e Tetovës, unë kam qenë bashkëpunëtor i ri profesional. Ky tip i amnezisë selektive harron se nuk mund ta krahasoni dikë që në vitet ‘90 ka qenë nëpunës civil, me dikë që ka qenë pjesë e qeverisë së Cërvenkovskit dhe LSDM-së në atë periudhë të errët gjatë fazës së tranzicionit tonë”.

Gordana Siljanovska Davkova: “Kam qenë pjesë e qeverisë si përfaqësuese e Liberalëve dhe është mirë që disa nga ministrat shqiptarë të asaj qeverie janë gjallë dhe shëndoshë i dinë mirë qëndrimet e mia për disa nga ngjarjet”.

Por, sipas ish-Ministrit Xhevdet Hajredini, qëndrimet e Siljanovskës aspak nuk kanë qenë ndryshe nga politika e atëhërshme maqedonase karshi shqiptarëve.

Xhevdet Harjedini, ish-ministër: “Në qoftë se punon gjatë kohë bashkë me dikë, marrëdhëniet personale mund të jenë edhe të mira, por kur është fjala për interesat e shqiptarëve, për kërkesat e shqiptarëve të atëhershme, që kishin të bëjnë me arsimin në gjuhën shqipe, ajo aspak nuk ka pasur një rol ndryshe nga partitë tjera”.

Ish-ministri Hajredini kohën e VMRO-DPMNE-së e quan si kohën më të errët në historinë e shtetit, periudhë, që siç thotë ai, kur edhe Siljanovska ka qenë pjesë e ekzekutivit./abcnews.al