Virusi vdekjeprurës (koronavirusi) po alarmon qytetarët në çdo cep të botës, ndonëse autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për qetësi.
Shpejtësia me të cilën po përhapet virusi në Kinë dhe shkalla e gjerë e zonave që ai ka prekur deri tani ka rritur vëmendjen në pikat hyrëse të aeroporteve më të mëdha europiane ku po mundohen të pengojnë depërtimin e personave të infektuar.
Ndërkohë numri i vdekjeve vazhdon të rritet.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 2,619 në të gjithë botën. Ka më shumë se 79,000 raste të prekura globalisht, dhe 27 vdekje jashtë Kinës.
Korea e Jugut: Koreja e Jugut njoftoi 231 raste të reja sot, ndërsa në mbarë vendin numri ka arritur në 830.
Lindja e Mesme dhe Evropa: Në Itali, raportohet për 4 të vdekur dhe 152 të prekur gjatë fundjavës, me një përhapje më të gjërë në veri të vendit.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në Iran ka konfirmuar 43 raste të virusit, përfshirë tetë vdekje. Libani dhe Izraeli gjithashtu kanë raportuar rastet e tyre të para.
Ndërkohë Afganistani ka konfirmuar rastin e parë të koronavirusit, në provincën Herat të vendit. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetit Publik, Ferozuddin Feroz.
Tre raste të dyshuara me koronavirus u identifikuan dje. Ata jetonin në Herat dhe ishin kthyer kohët e fundit nga Irani, vend i cili ka 43 raste të konfirmuara.
“Pas testimit të gjakut të tyre, rezultoi se njëri prej tyre ishte i infektuar me koronavirus. Të tre personat ishin kthyer kohët e fundit nga qyteti Qom i Iranit,” tha Ministri i Shëndetit Publik Ferozuddin Feroz.