Zyrtarët e emergjencave në Indonezi deklaruan se numri i personave të vdekur nga përmbytjet në kryeqytetin e vendit Xhakarta, ka shkuar në 47.
Xhakarta këtë javë u përfshi nga reshjet më të mëdha sezonale të shiut në dekadën e fundit, duke bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të vërshojnë në së paku 182 lagje.
Një zyrtar i Agjencisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive tha se rreth 400 mijë njerëz kanë kërkuar strehim në qytetin metropolitan pasi niveli ujit nga përmbytjet në disa zona ka shkuar në 5.8 metra.
Rritja e nivelit të detit dhe moti ekstrem, të ndikuar edhe nga ngrohja globale, po paraqesin kërcënim për qytetin me 30 milionë banorë. Xhakarta tashmë vlerësohet si qyteti që rrezikohet më së shumti në botë nga përmbytjet.
Kjo është shifra më e lartë e viktimave nga përmbytjet që nga viti 2013, kur 57 persona vdiqën në kryeqytet për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjeve./abcnews.al