Shkollat ruse vazhdojnë marshimin drejt militarizimit

schedule08:25 - 13 Korrik, 2023

schedule 08:25 - 13 Korrik, 2023

Përderisa vazhdon lufta e Moskës kundër Ukrainës, fëmijët në shkolla në mbarë Rusinë mund të presin që të shohin ndryshime të mëdha në kurrikulën akademike duke nisur nga shtatori. Këto ndryshimet pritet të jenë ushtarake.

Muajin e kaluar gjatë diskutimeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, zëvendëskryetari i Dumës shtetërore, Andrei Kartapolov, u ankua se rekrutët dhe vullnetarët e rinj që po i bashkohen ushtrisë ruse, ishin të papërgatitur.

“Ata janë të rinj infantilë”, tha Kartapolov, që është anëtar i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar. Ky ligjvënës është kryetar i Komitetit parlamentar për Mbrojtje.

Sipas tij, shumica e të rinjve që i bashkohen ushtrisë “në shumë aspekte nuk janë të përgatitur për jetën e vërtetë”.

Zgjidhja për këtë problem të supozuar? Gjatë dy vjetëve të ardhshëm, shkollat ruse do të adresojnë këtë çështje duke hequr dorë nga programi i kamotshëm i quajtur Bazat e Jetesës së Sigurt dhe e duke zëvendësuar me një bllok leksionesh, të quajtur Bazat e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Atdheut.

Ky është intensifikimi i fundit i përpjekjeve për “edukim patriotik” që ka ndodhur në Rusi në më shumë se dy dekadat e Vladimir Putinit si president apo si kryeministër. Shumë kritikë kanë thënë se kjo qasje i jep përparësi qëllimeve të Qeverisë mbi interesat e fëmijëve.

Trajnime bazike

Në vitin e ri shkollor që nis në shtator, nxënësit në klasën e dhjetë do të mësojnë për “elementet bazike të përgatitjes ushtarake”. Përveç stërvitjeve dhe instruksioneve për shkathtësi bazike ushtarake, ata do të kenë edhe mësime “për prospektet e karrierës” në shërbimin ushtarak, thuhet në librat dhe manualet për mësuesit që zyrtarisht janë postuar online.

Nxënësit në klasën e 11-të, mësimet e tilla do të vazhdojnë me “formimin e identitetit shoqëror rus, patriotizmit dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj atdheut”. Po ashtu, nxënësit do të mësojnë edhe për zhvillimin e “bindjes dhe gatishmërisë për shërbim dhe mbrojtjes së atdheut dhe të ndjenjës së përgjegjësisë për fatin e tij”.

Temat e tjera mësimore do të përfshijnë edhe “rrezikun e joshjes në aktivitete joligjore dhe anti-sociale” dhe “përdorimit të rinisë si mjet për destabilizim”.

Nxënësit po ashtu do të paralajmërohen për atë që tekstet shkollore paraqitet si kërcënim nga “falsifikimet si elemente të luftës së informacionit”. Instruktorët do t’iu thonë nxënësve se “është e paligjshme të shkelen normat e lidhur me shpërndarjen e informacioneve për rolin e Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore apo të kryejnë akte publike që synojnë diskreditimin e forcave të armatosura të Federatës Ruse”.

Pas nisjes pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Qeveria ruse shpejt miratoi një sërë ligjesh që kriminalizojnë shpërndarjen “e informacioneve të rreme” për operacionet ushtarake ruse dhe “diskreditimin” e forcave të armatosura ruse. Në shkurt, Maksim Lypkan, 18 vjeç, u dënua me dy muaj burgim pasi vazhdimisht kishte publikuar deklarata kundër luftës. Ai është rusi më i ri që është dënuar në bazë të ligjeve të reja.

Dy lloje të granatave të dorës

Blloku i ri i leksioneve do të zëvendësojnë programin e epokës sovjetike të quajtur Bazat e Jetesës së Sigurt, që u fut në përdorim në vitet ’80 pas një sërë incidentesh, përfshirë incidentin më të famshëm në centralin bërthamor të Çernobilit më 1986. Përgjatë viteve, leksionet javore – 68 orë në një vit akademik – u modifikuan dhe në to u përfshin edhe seksione për kërcënimet e reja sikurse terrorizmi dhe krimet kibernetike.

Versioni aktual përfshin mësime për uljen e rrezikut nga sulmet terroriste, për mënyrat se si të jeni të sigurt në turma të mëdha, për dhënien e ndihmës së parë dhe bazat për sigurinë online. Po ashtu, aty përfshihen edhe mësime për “simbolet dhe traditat” e ushtrisë ruse.

Kursi i ri do të përfshijë edhe bazat e dhënies së ndihmës së parë, por temat e tjera do të zëvendësohen nga “përgatitja bazike ushtarake”, përfshirë edhe mirëmbajtjen dhe operimin e pushkëve automatike të llojit Kallashnikov dhe të dy lloje të granatave të dorës. Ky program është i ngjashëm me trajnimet bazike ushtarake që janë mësuar në shkolla gjatë periudhës sovjetike, por që këto leksione ishin ndërprerë më 1993.

Në një prononcim për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, muajin e kaluar ministri i Arsimit, Sergei Kravtsov, tha se ndryshimet do të paraqiten “gradualisht”.

Në janar, sipas Kravtsov, kurset e reja mund të jepen nga veteranët e “operacionit të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, duke përdorur formulimin e Kremlinit për luftën e agresionit kundër Ukrainës. Ish-ushtarët do t’iu nënshtrohen trajnimeve tremujore pedagogjike para se të lejohen t’iu japin mësim nxënësve, tha ai.

Përpara, marsho!

Bazat e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Atdheut është programi i fundit në serinë e programeve të ngjashme që janë aplikuar në shkollat ruse gjatë udhëheqjes së Putinit. Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit ka rekomanduar që shkollat të organizojnë kampe ushtarake pesëditore për të gjithë djemtë në klasën e dhjetë – dhe për vajzat, që duan vullnetarisht të marrin pjesë në këto trajnime – dhe që këto kampe të mbahen, sipas mundësive, afër ndonjë baze ushtarake.

Qëllimi i këtyre kampeve ishte “formimi i cilësive morale, psikologjike dhe fizike të nevojshme për shërbimin në forcat e armatosura”. Nxënësit mësuan se si të ndërtonin llogore, të marshonin, të qëllonin, të hidhnin granata, të lëviznin në fushëbetejë dhe të përballeshin me plagët e marra në fushëbeteja.

Idenë për organizimin e këtyre kampeve fillimisht e kishin propozuar bashkërisht ministritë e Arsimit dhe Mbrojtjes më 2010. Në shkurt, kur pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës hyri në vitin e dytë, pa sinjale në horizont se lufta do të përfundojë shpejt, prindërit e nxënësve në shumë shkolla u informuan se pjesëmarrja në këto kampe tani është e obligueshme.

Duke filluar nga shtatori, Ministria e Arsimit dhe ajo e Mbrojtjes kanë propozuar që kampet të udhëhiqen nga Avangard, një qendër luksoze e financuar nga Ministria e Mbrojtjes “për edukim ushtarako-patriotik për të rinjtë”, pasi shumë shkolla janë ankuar se asnjë bazë ushtarake nuk ishte e lirë që fëmijët të mbanin kampin në to.

Avangard ka një kampus të madh dhe modern në periferi të Moskës, ku veteranët ushtarakë, përfshirë edhe ata nga lufta në Ukrainë, punojnë si instruktorë. Kjo qendër mban kampe pesëditore, të ngjashme me ato që mbajnë shkollat, por kampet e tyre janë komerciale.

Kjo qendër veçse ka hapur ndërtesa të ngjashme edhe në rajonin e Permit, prej nga vjen edhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe në periferi të Shën Petersburgut. Guvernatori rajonal i Çeliabinskut në malet Urale, ka ndarë mbi 7 milionë dollarë gjatë dy vjetëve të fundit për ndërtimin e qendrës trajnuese të Avangardit në këtë rajon.

“Nuk është e frikshme të vdesësh për atdheun”

Për vitin akademik 2022-23, shkollat ruse zhvilluan leksione javore për të gjitha nivelet, të quajtura “Biseda të rëndësishme”.

Programi, që u lansua nga Putini gjatë vizitës në një shkollë në Kaliningrad, është dizajnuar të rrënjosur patriotizmin dhe për t’iu paraqitur versionin e Kremlinit për ngjarjet në Ukrainë dhe për çështje të tjera politike. Fëmijët e klasave më të ulëta mësojnë për bukuritë natyrore të Rusisë, të ndërthurur me mesazhe patriotike sikurse “Duaje atdheun tënd” dhe “Nuk është e frikshme të vdesësh për atdheun”.

Më 2024, Ministria e Arsimit do të prezantojë tekstet e reja shkollore për studimet shoqërore, tha ministri Kravtsov gjatë një forumi të mbajtur në maj.

“Tekstet aktuale shkollore janë liberale apo pseudo-liberale”, tha Kravtsov. “Tani ne do të paraqesim vlerat e vërteta dhe të pandryshueshme të shoqërisë”.

Ai shtoi se tekstet shkollore të matematikës, fizikës dhe gjeografisë po ashtu do të ripunohen duke pasur parasysh këtë mendësi të re. Më herët ai kishte deklaruar se librat e rinj shkollor të historisë për klasën e 11-të do të përfshijnë edhe një kapitull për luftën në Ukrainë.

Në prill, pa zhurmë dhe në mënyrë unanime, Duma miratoi tri amendamente në ligjin për shërbimin ushtarak që lejojnë personat nga 18 vjeç të nënshkruajnë kontratë për të shërbyer në ushtri. Paraprakisht, vullnetarët duhej të kryenin një edukim teknik apo të kishin gradë akademike për t’u kualifikuar për shërbim ushtarak, që nënkuptonte se ushtarët me kontratë më të rinj se 20 vjeç ishin shumë të rrallë në radhët e ushtrisë ruse edhe pse Putini e uli moshën minimale për shërbim ushtarak në 18 vjeç në maj të vitit 2022.

Kur nënkryetari i Dumës Kartapolov, që i përshkroi të diplomuarit nga shkollat ruse si “infantilë”, fillimisht i propozoi amendamentet më 2022, Nina Ostanina, kryetare e Komitetit për familje, gra dhe fëmijë, i kundërshtoi ato, duke thënë se propozimi “bën që nxënësit që duan të bëjnë para menjëherë të mbesin të pambrojtur”.

Sipas raportimeve të mediave ruse, Qeveria ka vendosur synimin që 400.000 vullnetarë të rinj të regjistrohen në ushtri.

“Ky synim është vendosur dhe tani ata po largojnë të gjitha pengesat nga ligjet për lidhjen e kontratave për shërbim ushtarak”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut, Segei Krivenko për shërbimin rus të BBC-së../REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!