“Pa makina në shkollë”/ Veliaj apel prindërve: Të hënën mos rëndoni trafikun

schedule12:04 - 7 Shtator, 2024

schedule 12:04 - 7 Shtator, 2024

Të hënën nxënësit rikthehen në bankat e shkollave, pas pushimeve të verës. Bashkia e Tiranës, por edhe policia e shtetit kanë hartuar një plan masash për të monitoruar trafikun në ditën e parë të shkollës.

Nga dita e hënë do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.

Megjithatë, kryebashkiaku Erion Veliaj, u bëri apel prindërve që ditën e hënë të mos e përdorin automjetin për të çuar fëmijët në shkollë, por të ecin bashkë me ta, për të shmangur krijimin e trafikut.

Dua ta përdor këtë mundësi për të bërë një apel për ditën e hënë, kur fillon shkolla. E ka bërë këtë apel Policia Bashkiake, Policia e Rrugore, Policia e Shtetit, sepse është shumë shumë e rëndësishme, sidomos në lagje të tilla, kur tani ka edhe shkolla të reja në thuajse çdo lagje, se nuk ka sens t’i hipim makinës për të çuar fëmijët në shkollë. Ato 200-300 metra rrugë, këshilla për prindërit është: Merrini fëmijët për dore, flisni me ta, lehtësojini pak nga emocionet”.

Veliaj vazhdoi turin e inspektimeve para nisjes së vitit të ri shkollor, në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame”

“‘Misto Mame’ është një nga shkollat me performancën më të lartë në Tiranë. Ndonjëherë, nga mania për t’i çuar fëmijët në shkolla në qendër të Tiranës, harrojmë se ka super shkolla te “Medreseja”. Kjo është një shkollë e ndërtuar nga administrata e Tiranës në 2008 – e theksoj këtë sepse vetëm dy administrata kanë bërë shkolla në Tiranë, administrata e Edi Ramës dhe administrata jonë, se për të tjerët e dimë që, mirë që nuk ndërtuan asnjë shkollë, por nuk të lënë as të punosh”.

Veliaj theksoi gjithashtu se me ndërtimin e pesë shkollave të reja në kryeqytet, i jepet zgjidhje shqetësimit të mësimit me dy turne.

/abcnews.al