Shkolla e re “Avni Rustemi” hap dyert në shtator. Bashkia e Tiranës: Të gjitha objektet arsimore, gati për vitin e ri shkollor që nis më datën 9

schedule20:17 - 19 Gusht, 2024

schedule 20:17 - 19 Gusht, 2024

Bashkia e Tiranës ka investuar në disa objekte arsimore, çerdhe kopshte dhe shkolla të reja, të cilat do të hapin dyert këtë shtator për nxënësit. Një prej objekteve të reja të rindërtuara është edhe shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi”.

“Është një shkollë e cila ka pasur një problematikë të madhe edhe pas tërmetit, por edhe në vazhdim për shkak se ishte një shkollë me dy turne. Në vazhdim ne bëjmë një hapje të re të kësaj shkolle me një investim të ri, ku do të kalojë si shkollë me një turn”, deklaron për Klan Ilda Qazimllari, drejtore e përgjithshme e Investimeve Publike.

Sipas Ilda Qazimllarit, më 9 Shtator do të jenë gati dhe disa objekte të tjera arsimore.

“Shkolla “Emin Duraku” është përfunduar në total të saj, është hapur muajin e fundit të mbarimit të vitit të kaluar shkollor. Kjo edhe për të bërë një përcjellje të denjë për të gjithë nxënësit që e lënë atë shkollë dhe shkojnë në një cikët tjetër studimi. Si ajo po ashtu është edhe shkolla “Xhezmi Delli”, “Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta””, shton më tej Ilda Qazimllari, drejtore e përgjithshme e Investimeve Publike.

Ndërkohë që për të plotësuar nevojat për kopshte dhe çerdhe janë marrë dhe ambiente me qira.

“Është kopshti numër 37, i cili hap dyert. Jemi në fazë përmbyllje finale të zbatimit të punimeve të ndërtimit e po ashtu në fazat paraprake të mobilimit. Krahas kësaj është kopsht-çerdhja në Shkozë ose siç njihet ndryshe “Kopshti Ylberi” për ata që mund t’i rikthehen këtij kopshti ose për të gjithë komunitetin që banon aty, në Njësinë 1. Zonat të cilat ka patur mungesë të theksuar të subjekteve arsimore siç është njësia 16 apo pranë rrugës së Zallit, janë marrë disa vendime për të marrë objekte me qira, që konsistojnë në dy çerdhe dhe në dy kopshte. Kjo për t’iu përshtatur sa më mirë nevojave të komunitetit”, thekson Ilda Qazimllari, drejtore e përgjithshme e Investimeve Publike.

Bashkia e Tiranës gjatë sezonit veror ka bërë dhe mirëmbajtjes e të gjitha objekteve arsimore që të jenë gati për vitin e ri shkollor dhe të plotësojnë standardet dhe kushtet higjieno-sanitare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!