Shkolla nëntë-vjeçare “Ahmet Gashi” në zonën e Laprakës në Tiranë hap dyert si qendër komunitare. Mjediset e saj sportive mund të shfrytëzohen nga të rinjtë gjatë orëve të pasdites apo në fundjavë.
Lapraka do të ketë një qender sportive, ku të rinjtë e njësisë administrative 11 mund të kalojnë kohën e lirë. Gjatë orëve të pasdites dhe fundjavave shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi” hap dyert si qendër komunitare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se investimet janë një mundësi më shumë që nga shkollat të dalin talente të reja.
“Sa bie zilja e mësimit, shumica e këtyre terreneve boshatisen. Në një Tiranë me 1 milion banorë, me kaq shumë të rinj, a e kemi luksin që t’i lëmë të pashfrytëzuara? Mezi pres që tani që kemi hapur 62 palestra, të kemi gjithashtu edhe një kampionat mes 62 skuadrave rinore. Në qoftë se i gjithë qyteti i Tiranës përfshihet nga kjo valë sportive, do të kemi një qytet shumë herë më të mirë nga ai që kemi sot. Ndoshta nga e gjithë Lapraka do spikasim 5-6 talente, por 60 të tjerët, do mësojnë si të jenë qytetarë më të mirë të Tiranës. Për një kryetar bashkie, interesi më i madh është te këta të fundit, jo te sporti elitar, sepse pyetja është: A kemi qytetarë elitarë? E kemi në dorë vetë”.
Kryebashkiaku u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në një nga kurset sportive, në mënyrë t’i largohen jetës sedentare./abcnews.al