Shkolla 100-vjeçare e Shkodrës/ U hap në vitin 1923, “Ndoc Mazi” kishte vetëm 38 nxënës

schedule20:04 - 11 Nëntor, 2023

schedule 20:04 - 11 Nëntor, 2023

Nxënësit dhe mësuesit të presin në hyrje të shkollës. Aty përballesh me një muze që tregon rrugëtimin shekullor të saj.

“Kur morëm vendimin të bënim këtë 100-vjetor, na u duk vetja shumë të vegjël, përballë gjithë këtij dokumentacioni”.

Janë 100 vite, breza të panumërt nxënësish e mësuesish që kanë kaluar nëpër këtë shkollë qe sot mban emrin “Ndoc Mazi”.

U hap në vitin 1923 dhe asokohe kishte vetëm tre klasa me 38 nxënës me dy mësues dhe do quhej shkolla mashkullore “Skendërbej”, më pas do kompletohej si shkollë edhe me vajza dhe me staf mësimor, ku edhe ndryshon emër nga “Skënderbej”, do bëhej shkolla fillore “Vaso Pasha”, emër që do e mbante deri në vitin 1962, ku edhe u ndërtua godina e re ku ndodhet aktualisht shkolla.

Arben Mazi, nip i Ndoc Mazit shprehet se e gëzon fakti që shkolla u ka rezistuar viteve.

“Ështe kënaqesi për mua dhe më gezon fakti që kjo shkollë është shumë e vjetër dhe mban emrin e xhaxhait tim. Kam qenë disa herë dhe ky organizim për 100-vjetorin është shumë i bukur”.

Shumë breza kanë kaluar nëpër këtë shkollë ku janë zbuluar talente të cilët më pas kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme si në art, sport, shkencë etj. Gjergj Leqejza, sot Konsull Nderi i Austrisë në Shkodër, shprehet se 55 vite më parë ka qenë nxënës në këtë shkollë.

“E ndjej veten shumë të emocionuar, pasi nuk janë pak, janë 55 vjet. Origjinal, asgjë nuk ndryshuar fatkeqësisht, por për ne fatmirësisht, ta shohim si ka qenë, është origjinale nuk ka ndryshuar asgjë”.

Në këtë shkollë kanë marrë dijet e para personalitete të ndryshme si Roza Anagnosti, Justina Alija, Frederik Ndoci, Zana Çela, Rita e Juli Ndoci, ndërsa kanë dhënë mesim Prenk Jakova, Leonard Deda, Pjerin Gjyshja, Pjerin Sheldija. Ish mësuesja e anglishtes, Marije Sheldija teksa po kërkon regjistrat e saj, shprehet se kërkesën e ka pasur të lartë për nxënësit.

“Kam filluar punën 21 vjeçe në këtë shkollë dhe kam punuar 25 vjet. Kam qenë mësuese anglishteje. Kemi dashur të luftojmë kapitalizmin, prandaj kërkesat kanë qenë të larta, jam shumë krenare që kam punuar në këtë shkollë”.

Marilda Raka, dikur ish nxënëse, sot mësuese në këtë shkollë, e gjen edhe veten në fotografitë e organizimeve të ndryshme të shkollës.

“Në fillim kam qenë me mësuese kujdestare Nunciata Koçobashi dhe më vonë me mësuese Fejzie Luli, një mësuese shumë e mirë, shumë e dashur, e cila na mësoi me disiplinën dhe me dashurinë sidomos, dashurinë ndaj njëri-tjetrit. I paharrueshëm është mësues Pjerini i cili na mesoi me ndjenjen e së bukurës, me muzikën, me recitimin, dhe ç’është më e rëndësishmja me ndjenjën e përfaqësimit. Unë nuk e mbaj mend që në ato konkurset të kemi fituar ndonjëherë vend tjetër përveç vendit të parë ose siç ka qenë çmimi i flamurit”.

Shkolla “Ndoc Mazi” e Shkodres është ndër institucionet publike ndër më të vjetrat në këtë qytet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!