Abc News këtë të martë ka qenë në fshatin Leshnicë të Pogradecit ku është takuar me familjarët e shqiptarëve që ndodhen në Siri.
Gazetarja Ledjona Xheladinaj, përveç familjes së Almir Dacit e cila prej vitesh pret një lajm për bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, është takuar dhe me familjarët e Bedi Hamzës, të cilët nuk dinë asgjë në lidhje me fatin e tij.
Gjyshja e tij, Fitret Hamza në një prononcim për Abc News thekson se dëshira e vetme e saj është që të kthehen në Shqipëri nipi, bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten që ndodhen në Siri.
LEXO EDHE: Abc News në fshatin e Almir Dacit, familjarët: Nuk kemi informacion, kërkojmë kthimin e fëmijëve
Ajo thekson se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me nipin, dhe nuk e dinë nëse është gjallë apo jo pasi dhe nga mediat nuk kanë marrë asnjë lajm për të.
“Dua që nipi me nusen të më vijnë këtu, është vetëm i katërt. Jam plakë e kam rritur me fukarallëk, dhe nuk kam më fuqi. Ai shkoi për lek jo për luftë. Ai ishte me shkollë të lartë por e morën në qafë shokët. Unë dua të më vijën fëmijët dhe nusja, kjo është dëshira ime. Çfarë faji kanë ato që të rrinë në çadra si emigrantë. Ne nuk e dimë fatin e djali tonë, ndërsa të dy të tjerëve që kanë humbur jetën kanë dalë”, është shprehur ajo.
Gjithashtu kryeplaku i fshatit, Vladimir Lipo thekson se janë tre familje në fshat të cilat bëjnë apel dhe kërkojnë ndihmë nga shteti për të mësuar rreth fatit të familjarëve të tyre. e.su./abcnews.al