Komisioni i Rithemelimit të PD-së i ngritur nga Kuvendi i thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, ka zgjedhur sot përmes Primareve 6 kandidatët që do të garojnë më 6 mars në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki.
Votimi për 22 kandidatët në garë nisi në orën 08:00 të mëngjesit për t’u mbyllur pas orës 17:00, kur ishte edhe orari zyrtar, por që u shty për shkak se kishte ende qytetarë që dëshironin të votonin. Në Shkodër e cila kishte numrin më të lartë të kandidatëve për Primaret votimi është mbyllur rreth 2 orë më vonë nga orari zyrtar, kurse kandidati zyrtar u shpall me shumë vonesë.
Me 1011 votat e demokratëve, Bardh Spahia me profesion mjek, deputet, ish-zv.ministër Shëndetësie ka marrë besimin për të përfaqësuar Komisionin e Rithemelimit në garën për kreun e bashkisë Shkodër. Përballë tij ishin Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shestani Shala dhe Irma Kopliku Alushi.
Në kohë u zyrtarizuan emrat e kandidatëve të zgjedhur në 5 bashkitë e tjera ku do zhvillohen zgjedhjet më 6 mars: në Durrës, Vorë, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë.
Në Durrës garën e fitoi Ardian Muka, i cili u zgjodh me 1162 vota, ndërsa në garë ishte me Silvja Gjepalin. Me profesion Muka është inxhinier urbanist.
Për Bashkinë e Lushnjes u zgjodh kandidati Elton Bano, me 671 vota. Bano është avokat. Në garë me të ishin Arben Zaimi, Eurion Iljazi dhe Indrit Qerimi.
Në Vorë u zgjodh ekonomisti Lulzim Vrana me 277 vota, i cili garonte përballë Luan Betës.
Premtim Kryemadhi është kandidati fitues për Bashkinë e Dibrës. Ai mori 424 vota. Në garë me Premtim Kryemadhin ishin Behar Dema dhe Dafina Muda.
Ndërsa në Rrogozhinë u shpall fitues kandidati Hekuran Xhani me 211 vota. Përballë kishte Eqerem Deliun, Hajrulla Tafën, Sokol Gosën dhe Vladimir Manushin. Xhani me profesion është mjek veterinar.
Sipas Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, në këto primare ka pasur një interes të lartë. Zgjedhjen e kandidatëve të Komisonit të Rithemelimit të PD-së, Partia Demokratike e ka quajtur proces ku Berisha voton, emëron dhe numëron. Selia blu deklaroi se kandidatët e zgjedhur sot përmes Primareve nuk i lidh asgjë me PD. be.k/abcnews.al