Bashkia e Shkodrës është institucioni i fundit i qeverisjes vendore që nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 30 Qershorit. Prefekti i qarkut ka thirrur paraditen e të hënës mbledhjen e Këshillit të ri Bashkiak, por dorëheqja e Valdrin Pjetrit do të lërë sërish në detyrë kryebashkiaken aktuale. Burime pranë Partisë Socialiste konfirmojnë se gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak do të konstatohet vetëm vakanca e kryetarit dhe nuk do të zgjidhet një nënkryetar. Ndërkohë që socialistët pritet që të imponojnë vendimmarrjen në Këshillin Bashkiak me 51 këshilltarë të fituar në zgjedhje së bashku me aleatët.
Voltana Ademi edhe të hënën si çdo mëngjes do të jetë në zyrën e saj në Bashkinë e Shkodrës. Drejtuesja e vetme vendore që nuk ka lënë detyrën e saj pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, pavarësisht se nuk mori pjesë në zgjedhje, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nuk ka një kryetar që ta zëvendësojë.
Disa metra larg godinës së Bashkisë, Prefekti i Qarkut të Shkodrës Çesk Millja ka thirrur mbledhjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe zgjedhjen e organeve drejtuese; zgjedhjen e përfaqësuesve të Këshillit të Bashkisë në Këshillin e Qarkut Shkodër dhe shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë Shkodër.
Burime të sigurta pranë Partisë Socialiste, konfirmojnë për ABC News se këshilli i ri, do të vendosë për dy nga tre pikat e rendit të ditës, por nuk do të zgjedhin një zëvendësues për Voltana Ademin.
Të njëjtat burime, konfirmojnë se Këshilli Bashkiak nuk mund të zgjedhë një kryetar të ri, pasi nuk ka fuqi ligjore as të konstatojë përfundimin e mandatit të Ademit e as vakancën për kreun e ri të institucionit. Këtë situatë juridike, ligji nuk e ka parashikuar, e për pasojë, Voltana Ademi do mbetet në detyrë.
Por mbarëvajtja e drejtimit të saj të bashkisë do varet nga marrëdhënia që do ndërtojë me këshillin e ri bashkiak 51 anëtarësh, me socialistë e aleatë të tyre. Kjo mazhorancë absolute, pritet të imponojë çdo vendimmarrje në Bashkinë e re të Shkodrës.
Nga ana e tyre demokratët nuk do të rrinë duarkryq. Pas paralajmërimeve për të mos u thelluar në paligjshmëri, PD do të zhvillojnë një protestë jashtë ambienteve të rektoratit.
Nga kontaktet e ABC News me të dy palët, nuk pritet të ketë tension mes përfaqësuesve të kampeve të ndryshme politike, pasi të qenit banorë të të njëjtit qytet, imponon respektin reciprok. Ndërkohë që Ademi është e gatshme të qëndrojë në detyrë derisa në zyrën e saj të paraqitet një kryetar i për të marrë detyrën./ABC News Albania 24/7