SHKODËR- Në Bashkinë e Shkodrës kanë paraqitur dorëheqjet të gjithë drejtuesit e njësive administrative.
Kjo bashki ka gjithsej dhjetë njësi administrative.
Lajmi është konfirmuar nga vetë Bashkia e Shkodrës me anë të një njoftimi zyrtar, të shpërndarë për mediat.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se të gjithë administratorët e njësive administrative në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur dorëheqjen nga pozicionet e tyre pranë institucionit të Bashkisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu burime jo zyrtare nga Bashkia Malësi e Madhe thonë se kanë paraqitur dorëheqjen administratorët e 5 njësive administrative dhe 2 zëvendëskryetarët e bashkisë.
Pas dorëheqjeve të depozituara, do të kryhet një analizë e detajuar për performancën e secilit nga drejtuesit.
Pas saj, do të merren edhe vendimet për miratimin ose jo të dorëheqjeve të paraqitura sot.
Dorëzimi i dorëheqjeve të tyre vjen pak ditë pasi kryeministri Rama tha se drejtuesit aktualë duhet të largohen në të gjithë Shqipërinë.
Gjatë takimit që pati me drejtuesit e bashkive, Rama theksoi se këto poste duan njerëz, të cilët dinë t’u rrinë punëve te koka. /abcnews.al