Në monologun e kësaj puntate në emisionin “Provokacija”, Mustafa Nano u ndal te aktivistja 16 vjeçare Greta Thunberg. Ajo është bërë e famshme pasi beson se ngrohja globale është e rrezikshme për fatet e Tokës dhe njerëzimit dhe është shkaktuar nga dora e këtyre të fundit.
Megjithatë sipas Nanos, duhet të jenë shencëtarët ata që shpëtojnë botën dhe jo aktvistët. Gjithashtu në këndvështrimin e tij gazetarë dhe politikanë ndihen në faj kur shikojnë një aktiviste si Greta, pasi duhet të ishin ata në vend asaj duke mbrojtur atë lloj ideje.
Mustafa Nano: Greta Thunberg është sot 16 vjeç. Është nga Suedia. Është bërë e famshme në gjithë botën. Disa deputetë të parlamentit norvegjez e kanë propozuar për çmimin Nobel. Revista Time e ka shpallur si një nga 100 njerëzit më influentë të botës. Atë e presin kudo me duartrokitje. Mblidhen rreth saj për të dëgjuar se çfarë thotë. Për të janë bërë artikuj të shumtë në shtypin botëror. Atë e kanë intervistuar me dhjetra herë. Kryeministrat e politikanët e rëndësishëm të botës e presin në takime të veçanta. Edhe Papa Françesku gjeti kohë ta takonte në sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Po me çfarë lidhet kjo vëmendje? Mos vallë është shfaqur një profet i ri? Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë profet. Jo për gjë, por nuk ka profete gra. Profetët janë të gjithë burra. Ky pohim është më i sigurtë se pohimi që Toka rrotullohet rreth Diellit: Të gjithë profetët janë burra.
Le t’i lëmë shakatë. Greta Thunberg është një aktiviste, që beson se ngrohja globale është një fakt i pamohueshëm, që beson se kjo ngrohje globale është e rrezikshme për fatet e planetit Tokë e për fatet e njerëzimit, që beson më në fund se kjo ngrohje globale është e shkaktuar nga dora e njeriut. Nuk ka diskutim që aktivizimi i Gretës është një gjë që të emocionon, është edhe një gjë edukative. U përcjell të rinjve, nxënësve dhe studentëve idenë se duhet të dinë t’i mbrojnë besimet e tyre, duhet të dinë të luftojnë për to, duhet të dinë të luftojnë për një botë që, më shumë se kujtdo tjetër, u përket atyre. Ajo pra është tipi i të riut që ka një ideal, dhe që i ka dhënë kuptim jetës së vet me përpjekjet për ta mbrojtur këtë ideal të vetin. Unë në këtë pikë e shoh me shumë interes këtë personazh. Të rinjtë shqiptarë kanë se ç’të mësojnë prej saj.
Por ka një gjë që nuk shkon në këtë histori, megjithatë. Ajo po mbron një kauzë, e cila është e debatueshme. Politikisht po se po, por ajo është e debatueshme edhe shkencërisht. OK, shumica e shkencëtarëve mbështesin shqetësimin e Gretës, por edhe këta thonë se ndryshimet klimaterike janë, me shumë gjasa, të shkaktuara nga njeriu. Me këtë nuk dua të them se duhet injoruar ky rrezik. Termi me shumë gjasa mund të injorohet kur është fjala për një ndeshje futbolli, për një martesë, për një masakër po të doni, por jo kur në peshore është zhdukja e jetës mbi tokë. Në këtë kuptim nuk bëj pjesë te njerëzit që e injorojnë këtë shqetësim. Ajo që dua të them është tjetër: Ky është një problem politik dhe shkencor. Greta është e mirëpritur në këtë diskutim, por foltoren duhet ta zënë shkencëtarët, jo Gretat. Shkencëtarëve u takon ta shpëtojnë botën prej një rreziku të tillë potencial apo iminent. Prandaj, se si më duket kur shoh salla të mbushura plot që dëgjojnë se çfarë thotë Greta Thunberg. Por është me sa duket një kompleks faji që i bën politikanët, gazetarët, etj të vihen në garë kush e kush t’i kushtojë më shumë vëmendje Gretës, e kush e kush të fitojë vëmendjen e saj. Ata po kuptojnë se Greta po bën diçka që do duhej ta kishin bërë ata.
Gretës duhet t’i heqim kapelen edhe për këtë. Por sidomos për sensin civik që po demonstron dhe për leksionin që po u jep të rinjve. /abcnews.al