Shkencëtarët amerikanë që krijuan robotët e parë të gjallë thonë se ksenobotët, tani mund të riprodhohen në një mënyrë që ndryshon nga bimët dhe kafshët. Nuk bëhet fjalë për robotë tradicionalë por organizma të gjallë dhe të programueshëm.
Blloqet e vogla u zbuluan në vitin 2020 pasi eksperimentet treguan se mund të lëviznin, të punonin së bashku në grupe dhe të vetë-shëroheshin. Shkencëtarët në Universitetin e Vermontit, Tufts dhe Institutin Wyss që i zhvilluan thanë se kanë zbuluar një formë krejtësisht të re të riprodhimit biologjik, raporton CNN.
“Unë u mahnita nga kjo,” tha Michael Levin. “Bretkosat kanë një mënyrë riprodhimi që e përdorin normalisht, por kur ju çlironi (qelizat) nga pjesa tjetër e embrionit dhe u jepni një shans të kuptojnë se si të jenë në një mjedis të ri, jo vetëm që zbulojnë një mënyrë të re për të lëvizur, por gjejnë gjithashtu një mënyrë të re për t’u riprodhuar.”
Robot apo organizëm?
Qelizat staminale janë qeliza të paspecializuara që kanë aftësinë të zhvillohen në lloje të ndryshme qelizash. Për të bërë ksenobotët, studiuesit gërvishtën qelizat burimore të gjalla nga embrionet e bretkosave dhe i lanë të inkuboheshin.
“Shumica e njerëzve mendojnë për robotët si të bërë nga metale dhe qeramikë, por nuk ka të bëjë aq shumë nga ajo që është bërë një robot, por ajo që bën, e cila vepron vetë në emër të njerëzve,” tha Josh Bongard, një profesor i shkencave kompjuterike dhe robotikës.
“Në këtë mënyrë është një robot, por është gjithashtu qartë një organizëm i bërë nga qeliza e bretkosës e pamodifikuar gjenetikisht.” Bongard tha se ata zbuluan se ksenobotët, të cilët fillimisht ishin në formë sfere dhe të bëra nga rreth 3,000 qeliza, mund të shumohen. Por kjo ndodhte rrallë dhe vetëm në rrethana specifike.
Ksenobotët përdorën “përsëritjen kinetike”, një proces që dihet se ndodh në nivel molekular, por nuk është vërejtur kurrë më parë në shkallën e qelizave ose organizmave të tëra, tha Bongard. Me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit më pas testuan miliarda forma trupore për t’i bërë ksenobotët më efektivë në këtë lloj përsëritjeje. /abcnews.al