Shkencëtarët kundër planeve bërthamore të Bill Gates

schedule10:55 - 11 Nëntor, 2021

schedule 10:55 - 11 Nëntor, 2021

Kompanitë në pronësi të Bill Gates dhe Warren Buffett planifikojnë të nisin projektin e parë të të ashtuquajturit reaktor atomik “Natrium”. Për ekspertët projekti është përpjekje të gabuar për uljen e CO2.

“TerraPower”, kompania e energjisë bërthamore e Bill Gates, si dhe “PacifiCorp” – në pronësi të kompanisë Holding të Warren Buffett, “Berkshire Hathaway” – u bënë bashkë në shtator të 2020-ës në projektin “Natrium”. Bëhet fjalë për një reaktor të vogël modular për të cilin ata thonë se do të jetë i zbatueshëm deri në vitin 2030.

Shumë vende po mendojnë si zgjidhje reaktorë bërthamorë më të vegjël, të ashtuquajtur modularë, si një mënyrë për të mbështetur prodhimin e energjisë me emetim të ulët, duke shmangur varësinë e deritanishme nga karburantet klasike si gazi apo qymyri dhe duke kaluar tek burimet e rinovueshme të energjisë. “Reaktori do të ndërtohet nga Bechtel, në Wyoming, shteti kryesor i prodhimit të qymyrit në Shtetet e Bashkuara”, tha Gates. “Ne mendojmë se ‘Natrium’ do të ndryshojë historikun e industrisë së energjisë”, theksoi ai.

Akti i Transformimit të Energjisë së Pastër të SHBA-së kërkon eliminimin e qymyrit deri në vitin 2025 dhe dekarbonizimin e plotë të rrjetit deri në vitin 2045. Departamenti i Energjisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka dhënë “TerraPower” 80 milionë dollarë (70 milionë euro) për të çuar përpara idetë e saj. “TerraPower” thotë se uzina do të kushtojë 1 miliard dollarë, duke përfshirë inxhinierinë, prokurimin dhe kostot e ndërtimit, si dhe do të nevojiten shtatë vjet për t’u ndërtuar. Në SHBA, kostoja e ndërtimit të një termocentrali konvencional bërthamor është rreth 25 miliardë dollarë dhe mund të marrë shumë më tepër kohë për t’u ndërtuar.

“Reaktorët më të vegjël dhe të avancuar, si ata që po zhvillohen nën financimin e Bill Gates dhe të tjerëve, ofrojnë aplikacione, qasje dhe mundësi të reja për një nga burimet më të mëdha në botë të energjisë që nuk emeton karbon, asaj bërthamore” – tha për DW Brett Rampal, drejtor i inovacionit bërthamor në organizatën jofitimprurëse “Clean Air Task Force” (Task Forca e Ajrit të Pastër).

“Nuk janë reaktorë dhe aq të vegjël, sepse janë 345 MW (Megavat)” – tha për DW Antony Froggatt, studiues në Chatham House. “Ndonëse shumë më të vegjël se reaktorët ekzistues (1,000 MW), ata konsiderohen të mëdhenj dhe mund të mos jenë aq modularë sa synohet dhe kjo hedh poshtë argumentin se këto reaktorë mund të ndërtohen në fabrika dhe më pas të dërgohen jashtë” – paralajmëroi ai.

Rëndësia e fleksibilitetit

Reaktorët “Natrium” pritet të plotësojnë mangësitë e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, siç do të bënte një gjenerator rezervë. Projekti përfshin një reaktor të shpejtë të ftohur me natrium 345 megavat (MW), i cili ruan energjinë nga kripa e shkrirë, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë në 500 MW në kohën kur ka kërkesë maksimale për energji. Teknologjia e natriumit ka aftësinë për të ruajtur nxehtësinë në rezervuarët e kripës së shkrirë për përdorim në të ardhmen, si një bateri.

“Natriumi përfshin rezervuarët e ruajtjes së nxehtësisë së nitratit – i njëjti që përdoret në sistemet e përqendruara të energjisë diellore. Kjo mundëson prodhimin ekonomik të ndryshueshëm të energjisë elektrike – një zëvendësim për turbinat e gazit dhe impiantet e qymyrit”, i tha DW-së, Charles Forsberg, nga Departamenti i Shkencës dhe Inxhinierisë Bërthamore në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.

“Reaktori funksionon me fuqi të plotë, me energji elektrike të ndryshueshme në rrjet. Depozitimi i nxehtësisë është rreth 10 herë më pak i shtrenjtë se depozitimi i baterisë por nevojitet që teknologjia e prodhimit të nxehtësisë të bëhet një me ruajtjen e nxehtësisë. Energjia bërthamore është teknologjia e prodhimit të nxehtësisë me karbon të ulët” – tha Forsberg.

Dobësitë

“Bill Gates ka nënvlerësuar vazhdimisht rolin e sigurt dhe tashmë të provuar të energjisë së rinovueshme në dekarbonizimin e ekonomisë sonë, duke i dhënë rëndësi një teknologjie më të rrezikshme dhe me pasoja si gjeoinxhinieria dhe ajo bërthamore,” tha për DW Michael E. Mann, profesor i shkencës atmosferike në Universitetin Penn State. Mann, nënshkrues i një deklarate të fundit që bën thirrje për dekarbonizim përmes energjisë 100% të rinovueshme, thotë se e sheh shqetësuese që Gates po përpiqet të përfitojë nga ky “drejtim i gabuar”. “Është qasje e rrezikshme, sepse na çon në rrugën e gabuar. Në këtë pikë, veprimet nuk janë më teknologjike. Ato janë politike” – argumentoi Man.

Të tjerët pajtohen. “Energjia bërthamore është një diversion nga aksioni që duhet ndërmarrë për emergjencën klimatike”, tha për DW Jan Haverkamp i ‘Greenpeace’. “Fuqia e re bërthamore, qofshin reaktorë të mëdhenj ekzistues apo modele të reja të vogla, mund të ofrojnë vetëm një pjesë margjinale të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë” shprehet Haverkamp, duke shtuar se një dyfishim i kapacitetit aktual do të sillte më pak se 4% reduktim. “Reaktorët si ‘Natrium’ janë ato që ne i quajmë reaktorë me rritje të shpejtë. Këto reaktorë janë makthe”, sipas Haverkamp. Ato veprojnë së bashku me teknologjinë e përpunimit, e cila është gjithashtu e rëndësishme për izolimin e materialit të bombave bërthamore. Qoftë vetëm për këtë arsye, unë mendoj se idetë e Gates në këtë fushë janë tepër të rrezikshme” – vijoi ai.

“Sot, energjia e erës dhe diellit janë shumë më të lira, shumë më të shpejta për t’u përdorur dhe shumë më të sigurta se centralet bërthamore tradicionale,” tha për DW Robert Howarth, profesor në Universitetin Cornell.

“A mund të jenë më të mira se termocentralet tradicionale bërthamore këto impiante që përfytyrojnë Gates dhe Buffet? Ndoshta, por ky është ende vetëm një eksperiment. Dhe unë dyshoj në pretendimet që ngrihen. Në çdo rast ato janë një shpërqendrim dhe është mirë që ne të heqim dorë nga energjia bërthamore dhe të kalojmë 100% drejt burimeve të rinovueshme, sa më shpejt që të mundemi”, përfundoi Howarth./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!