Shkëmbimi i raketave mes Izraelit dhe Palestinës, vritet komandanti i Hamas-it

schedule18:12 - 12 Maj, 2021

schedule 18:12 - 12 Maj, 2021

Grupi militant palestinez Hamas ka konfirmuar se komandanti i qytetit të Gaza-s mbeti i vrarë në një sulm ajror izraelit të mërkurën. Bassem Issa është figura më e lartë ushtarake në Hamas që vritet nga Izraeli që nga viti 2014.

Me deklaratën e së mërkurës, Hamas pranon për herë të parë vdekjen e militantëve në këtë raund të luftimeve me Izraelin. Krahu i armatosur i Hamasit tha se Issa-i u vra “së bashku me disa nga vëllezërit e tjerë të udhëheqësve dhe luftëtarëve të shenjtë” gjatë luftimeve që po zhvillohen prej ditësh në Gaza, shkruan Abcnews.al

Luftimet midis izraelitëve dhe palestinezëve u intensifikuar të martën mbrëma dhe të mërkurën dhe të vrarë pati nga të dyja palët.

Vetëm pas agimit, Izraeli goditi Gaza-n me dhjetëra sulme ajrore që synonin policinë dhe instalimet e sigurisë. Iyad al-Bozum, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Hamas, tha se sulmet ajrore shkatërruan selinë qendrore të policisë në qytet, një kompleks me disa ndërtesa.

Numri i të vdekurve në Gaza u rrit në 35 palestinezë, përfshirë 12 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Kurse, mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur. Nga ana tjetër, pesë izraelitë, përfshirë tre gra dhe një fëmijë, u vranë nga sulmet me raketa të martën dhe të mërkurën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. sb/abcnews.al/