Shkëmbi: S’e di pse pësojmë në momentin të mirë! Rrugëdalja? Ka dy zgjidhje

schedule22:20 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 22:20 - 13 Dhjetor, 2021

Bledi Shkëmbi, trajneri i Dinamos, pas derbit me Partizanin që u mbyll me humbje për blutë, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh: “Vazhdojmë të gabojmë dhe të vuajmë në çdo ndeshje. E nisëm mirë pjesën e parë, por pas minutës së 20-të kundërshtari na vuri në vështirësi dhe mund të na kishte ndëshkuar.

Në pjesën e dytë loja ishte e barabartë dhe patëm raste të mira shënimi, por nuk ia dolëm. Më pas pësuam, duke u rënduar edhe më shumë psikologjikisht. Po të shënonim, isha i bindur që do të kalonim këtë moment të vështirë, por nuk ia dolëm”.

“Dalja e Skukës? Ishte zgjedhje e imja, pasi nuk po bënte atë që ne kishim përgatitur gjatë javës në stërvitje”.

“Golat e pësuar në moment të mirë? Sinqerisht do të doja të kishte një arsye, apo të gjenim një arsye. Na ka ndodhur shpesh që në momentet më të mira tonat, ne jo të pësojmë, por ta dhurojmë vetë golin. Ndoshta ndikon edhe gjendja psikologjike”.

“A ka grup te Dinamo? Është një grup i fortë dhe nuk ka asnjë problem brenda skuadrës, por ndoshta duhet pak më shumë kohë që të arrijmë aty ku duhet dhe të dimë të përballojmë edhe momentet më të vështira”.

“Rrugëdalja nga kriza? Në futboll gjërat zgjidhen ose me merkato, ose ikën trajneri. Janë edhe dy ndeshje, ku unë besoj që do të arrijmë të ndryshojmë diçka, pasi në skuadër ka burra dhe ka elementë për të nxjerrë skuadrën nga situata”.

“Merkato? Nuk është momenti për të folur për merkaton dhe emrat, pasi kemi dy ndeshje shumë të vështira përpara dhe vetëm pas tyre do të mendojmë”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!