Dinamo nuk ia doli të fitonte dot ndaj Skënderbeut, madje edhe mund të humbnim nëse Mensah realizonte në minutat shtesë. Trajneri Bledi Shkëmbi, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi:
“Ishte një ndeshje që e patëm në kontroll dhe e kërkuam ta fitonim, por nuk arritëm. Isha i bindur që një gol do të na lironte psikologjikisht, por në fund patëm fat që morëm një pikë. Jemi të zhgënjyer, kishim menduar ndryshe, por në futboll gjërat nuk shkojnë si i mendon.
Donim tre pikët si ndeshja e fundit e këtij viti, por është momenti i duhur për të reflektuar për atë që kemi bërë gabim dhe atë që mund të rikuperojmë”.
“Merkato? Klubi ka menduar për të afruar lojtarë për ato pozicione ku kemi nevojë dhe mendoj se do të vijnë të duhurit. Emra konkretë nuk mund të them se klubi është në bisedime”.
“Në disa ndeshje nuk e kemi pasur problemin vetëm në një repart, por e kemi pasur në tërësi. Isha i bindur që do të kishim disa pikë më tepër, por nga sulmi prisja më shumë. Me statistika kemi shënuar pak, ka lojtarë që nuk kanë shënuar dhe nuk kanë qenë aty ku duhet”, u shpreh Shkëmbi. / abcnews.al