Dinamo do të luajë kundër Egnatias ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit.
Para kësaj ndeshje në konferencën për shtyp ka qenë i pranishëm trajneri i “bluve”, Bledi Shkëmbi, duke treguar për gjendjen e skuadrës, kualifikimin në “Kupën e Shqipërisë”, përballjen me Egnatian.
GJENDJA E EKIPIT – “Është normale që pas 120 minutave lodhja fizike por dhe psikologjike, ka të bëjë pak, por jemi në një moment që nuk duhet të shfajësohemi dhe të mos mendojmë për lodhjen, por të bëjmë maksimumin për tu rikthyer tek fitoret në kampionat. Duhet të ndryshojmë shumë, sidomos karakterin në momente të caktuara të ndeshjes, por dhe besimin”.
KUNDËRSHTARI – “Egnatia është një nga kundërshtarët më të vështirë. Ka një trajner që ka shumë eksperiencë dhe e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar. Jam i bindur që do e kemi të vështirë, pasi kemi pasur fatin ta shohim pas çdo jave”.
NDESHJA – “Nuk mund të them se i druhemi Egnatian. Në futboll ndodh që një skuadër mund të mundë skuadrën më të mirë të kampionatit dhe ti shkon edhe e mund. Ndeshjet nuk janë asnjëherë njësoj. Këto rezultate për Egnatian tregojnë se duhet ta respektojmë dhe duhet të bëjmë mbi 100% për të arritur fitoren”.
MUNGESAT – “Haxhiu dhe Sidibe nuk do të jenë sërish, ndërsa në stërvitje do shohim disa prej lojtarëve që patën probleme në ndeshjen e Kupës”.
KUALIFIKIMI NË KUPË – “Kupa është me dy ndeshje dhe në takimin e parë bëmë shumë mirë, ndërsa në sfidën e dytë bëmë jo mirë. U kualifikuam jo me fat, siç e thonë shumë. Ne fituam duke luajtur ndeshjen e parë shumë mirë dhe në ndeshjen e dytë u treguam më të saktë tek penalltitë, si ata që gjuajtën dhe për meritë të Bakajt.
OBJEKTIVI – “Është një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë moment që jemi, pas disa ndeshjeve të mira dhe jo të mira. Duhet të gjejmë vazhdimësinë dhe vazhdimësia duhet të gjendet me rezultate pozitive. Një fitore patjetër që nga ana psikologjike do na bëjë shumë mirë. Mendoj se jemi gati për të bërë një ndeshje shumë të mirë dhe me pak fat mund të marrim edhe 3 pikët”.
KAPITENI – “Është normale që në një skuadër duhet të marrin të gjithë përgjegjësi nga trajneri dhe deri tek lojtarët. Ibraimi? Kapiteni është me shumë eksperiencë dhe e di se çfarë ka dashur të thotë”. /f.a/abcnews.al