Dihej vështirësia e përballjes me Laçin, por Bledi Shkëmbi nuk e kishte menduar një rezultat të tillë. Bardhezinjtë e Cungut fituan 3-0 dhe u rikthyen te fitorja. Trajneri i Teutës ka analizuar ndeshjen e sotme për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Kundërshtari luftoi më shumë, e kishte përgatitur ndeshjen më mirë. Pavarësisht kësaj kam shumë besim tek ekipi. Të gjithë bëjnë gabime. Gjithmonë përgjegjësia është e imja. Duhet të kishim bërë tjetër rreshtim e të punonim ndryshe në aspektin psikologjik”.
“Edhe pse ne kishim punuar për të ndaluar Nwabueze, për gabime tonat dhe merita të tij, nuk ia dolëm. Kampionati nuk mbaron këtu. Duhet ta përgatitim ndeshjen e radhës ndryshe”.
“Fusha e Laçit? Kemi humbur vjet, u paraqitëm shëmtuar. Ndaj edhe mora përgjegjësitë. Ndoshta nuk bëmë mjaftueshëm në aspektin psikologjik për ta përgatitur këtë ndeshje”.
“Situatat e vështira i zgjidhin ata që janë lider. I kemi ata lojtarë. Dua ta mendoj dhe shpresoj që është vetëm një ditë e keqe e jona”.
“Jemi me këmbë në tokë, të gjithë. Ndoshta, unë ndryshe nga ju, e di shumë mirë që gabohet në futboll. Reagimi është ai që bën ndryshimin. Ne nuk e bëmë në asnjë moment dhe kjo është ajo që më shqetëson. Gjithsesi jam i bindur që ne do të reagojmë në ndeshjen e radhës”./abcnews.al