Shkëmbi: Hera e parë që e festoj kështu një fitore, ishte detyrim për qytetin

schedule18:48 - 8 Dhjetor, 2019

schedule 18:48 - 8 Dhjetor, 2019

Teuta nuk fitonte prej pesë ndeshjesh, por një gol i Vilës në minutën e fundit riktheu ekipin durrsak te suksesi. Bledi Shkëmbi ka analizuar triumfin kundër Skënderbeut në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku prek disa tema.

FITORJA – “Nuk dua të justifikohem për atë që ka kaluar ky qytet. E kishim detyrim të merrnim tre pikë për qytetin. Ishte hera e vetme që gëzoj kaq shumë për tre pikë. Më vjen mirë që arritëm të marrim tre pikë, me shumë fat”.

BESIMI – “Në fakt duhet ta mendojmë dhe ta tregojmë që kjo fitore duhet të na japë besim për të vazhduar me rezultate pozitive. Kemi bërë shumë barazime, ndoshta do të dëshironim të humbnin ndonjë dhe të fitonim një tjetër, do kishim më shumë pikë. Patëm kartonë të verdhë, do na mungojnë lojtarë, por më e rëndësishmja ishte fitorja sot”.

RREZIKIMI? – “Do më pëlqente të rrezikoja vendin. Do kisha më shumë presion të punoja më shumë. Kur gjërat nuk ecin mund të largohem, jam mësuar. Janë situata normale. Nuk e mendoj se isha në pikëpyetje për të vazhduar punën. Do të doja sinqerisht që të jemi në presion dhe të kem sa më shumë motive për të punuar më shumë. Shumë herë ndodh që nuk ka durim nga klubet, ndërrohen trajnerët. Te ky klub, presidentët kanë besim tek unë dhe lojtarët. Kjo është gjëja kryesorë që duhet të ketë një ekip”.

VECAJ – “Hera e parë ose e dytë që luan në atë pozicion. Vecaj ka veti të mira dribluese dhe i kërkova që kundër Dajës të bënte driblimin një kundër një. Në disa raste e bëri shumë mirë, ka cilësi, por duhet të bëjë më shumë. Është gjithmonë një hap mbrapa, nuk po arrin të kapë ritmin e skuadrës. Ka cilësi dhe duam ta sjellim në gjendje të mirë fizike”.

JANARI – “Në futboll nuk mendoj se ka ekip që i shkojnë gjërat si i mendon në letër ose teori. Jam i kënaqur nga ky grup, nuk do të ketë revolucion, Të gjithë stërviten shumë mirë, kjo është kryesorja. Do të punojmë shumë, edhe ne stafi duhet të gjejmë modulet e duhura për të luajtur. Nuk kanë probleme vetëm lojtarët”.

GOLI – “Rikuperohet duke punuar dhe duke u stërvitur. Pjesën e dytë bëmë shumë më mirë se në pjesën e parë. Duhet të jemi me këmbë në tokë, kampionati shqiptar nuk ka diferenca. Skënderbeu ka shumë cilësi në një repartin dhe më pak në të tjerët. Janë pothuajse të gjithë skuadrat të barabarta”.

MUNGESAT – “Kundër Kukësit dhe Partizanit janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, luajmë tre ndeshje brenda javës. Do kishim dëshirë të mos kishim mungesa kundër Kukësit, por kam besim te lojtarët që do të hyjnë dhe do jemi dinjitozë kundër Kukësit dhe Partizanit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!